I ftuar në studion e ‘Opinion’ të News24, deputeti socialist Ben Blushi ritheksoi nevojën për të hapur kutitë e referendumit të PS, ndërsa tha se rezultati duhej të ishte shpallur nga KQZ e partisë.
Sipas Blushit, referendumi ishte një mekanizëm për ta përjashtuar atë nga gara përballë Ramës, ndërkohë që deputeti ‘rebel’ tha se është në dilemë nëse duhet të rrijë apo të ikë nga PS.
“Unë kërkoj rezultatet për secilën nga 390 kutitë, jo në rang qarku. Nëse socialistët manipulojnë rezultatin e tyre, me ç’të drejtë morale i kërkonin Berishës hapjen e kutive dhe e akuzonin për manipulim?” – tha Blushi.
Deputeti i PS u ndal edhe në situatën ekonomike në vend teksa tha se njerëzit po largohen nga vendi. Sipas tij, administrata publike nuk po performon siç duhet dhe vendi po përballet me uljen më të madhe të konsumit që prej vitit 1997.
Nderkohe Blushi u ndal edhe tek debati sa i perket mesimit te fese ne shkollat e vendit.
“Ju besoni që cilësia e shkollave tona është e dobët për shkak se fëmijët tanë nuk kanë informacion për fetë e tyre?! Kjo është arsyeja se përse 5 mijë fëmijë largohen për të mësuar jashtë shtetit?! Kjo nuk është reformë! Sigurisht që nuk jam kundër që fëmijët e shqipërisë të kenë njohuritë elementare për historinë e fesë. Sistemi ynë arsimor nuk reformohet nëse debati është feja apo jo në shkollë. Nqs ka diçka që duhet të mësohet në shkollat tona është shkenca. Si ka mundësi që këtu nuk flitet për të shtuar shkencën nëpër shkolla?!”- tha Blushi.
“Nuk besojm se shoqëria civile është e mundur, e ka dhënë provën tek armët kimike. Sa i takon parkut të liqenit, shoqëria civile nuk e ka mundur veten e vet, por e ka mundur PD me protestën e saj. PD dhe fatkeqësisht presidenti sot e kanë politizuar… keni parë ndonjë President në botë që merret me parqe? Mendoj se kjo e ka sabotuar protestën atje.” – theksoi Blushi.
“Unë nuk e di fare dhe nuk i hyj këtij debati… ajo që thash është që Edi Rama ka marrë një mandat të përhershëm dhe kjo nuk është vetëm në të keq të tij por edhe të atyre që duan ta zëvendësojnë…” – përfundoi deputeti socialist.