Në COD Kryeministri, në praninë e kryeministrit Edi Rama, zonjës Linda Rama, Ministrit të Mbrojtjes Pirro Vengu, përfaqësuesve të Ambasadës së SHBA-së, historianëve, gazetarëve, pasardhësve të shqiptarëve dëshmitarëve të historisë u shfaq premiera “Në besë të shqiptarëve”.
Historia
Në 8 nëntor 1943, një avion amerikan që po shkonte nga Catania në Bari, me 30 mjekë dhe infermierë, 13 ishin gra, bie në liqeni e Belshit. Aty takojnë një partizan, Hasan Gina, personazh kyç në dokumentar sepse rrëfimi është ditari i mbajtur prej tij për ngjarjen. Ai i strehon në një shtëpi në Belsh. Të gjithë flenë në një dhomë. Shtëpia është siç ka qenë. Gruaja që i priti nuk jeton më, por nusja e saj tregon gjithë historinë, siç ia tregoi vjehrra.
Historinë e “çupkave amerikane”.
Kështu mbahen mend ato në gjithë fshatrat ku shkoi të xhiroje Dritare TV. Ato udhëtuan 62 ditë nëpër Jugun e Shqipërisë, në fshatra, male, kaluan Tomorin dhe Devollin, në muajt e dimrit të egër 1943. U përpoqën të ikin nga aeroporti i Gjirokastrës por dështuan. Gjermanët i pikasen dhe qëlluan. Në 9 janar 1944, ia dolën të ikin nga Shqipëria. Me anije nga Gjiri i Gjon Gjilekës në Karaburun. Ikën në Bari. Pas lanë shpëtimtarët shqiptarë dhe nuk e mësuan kurrë se ata u vranë, shtëpitë e tyre u dogjën, fshatrat ku ata strehoheshin, pas ikjes se tyre shkrumboheshin. Sepse kishin shpëtuar amerikanët. Ndërsa ata të gjithë ia dolën të shkojnë gjallë në shtëpi, sepse ishin në besë të shqiptarëve.
Pas kthimit, nuk u lejuan të japin detaje për historinë. Vite më pas kur ajo u deklasifikua doli libri i parë. Pas saj dhe 5 të tjerë. Librat e misionit që përfundoi me sukses. Në Shqipëri nuk foli askush. Pas pushkatimit të përkthyesit Kostaq Stefa, gjithë dëshmitarët e mbajtën sekret. Për herë të parë, u fol për historinë kur një nga infermieret u kthye në Shqipëri. Falë gazetarit shqiptaro-amerikan Peter Lukas, që e zhvarrosi historinë.
Në këtë nëntor, të 80-vjetorit të Çlirimit të Atdheut, Dritare TV po çliron narrativen e kësaj ngjarjeje unike 80-vjeçare.
Duke bërë bashkë gjithë dëshmitë dhe sidomos duke përshkruar gjithë rrugën që amerikanët bënë, atë nëntor 1943, kur avioni iu ra në tokë në Shqipërinë e panjohur. Ata shpëtuan gjallë të gjithë sepse qenë në besë të shqiptarëve.
Dokumentari do të shfaqet së shpejti në Dritare TV.
/a.r
Një titull metaforik që të lë përshtypjen se ne Shqiptarët jemi të pabesë dhe prandaj na duhet besa si tek “Kanuni i Lekë Dukagjinit” i shekullit 15…Hajde moj Rudina Xhunga,moj mendje hollë shqiptare ,na ktheve me këtë retorikë ngjarjeje pas në kohë