Prek Kodra është në listën e 21 masave të sigurisë të lëshuara nga SPAK, por emri i tij është ekspozuar më herët në operacionin “Metamorfoza” si një individ me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Gazetari Eni Ferhati shpjegoi sonte në studion e “Opinion” më shumë sa i takon këtij personazhi të botës së krimit.
“Personazh që kishte marrë porosi dhe kishte siguruar kushtet dhe mjetet për të kryer disa vrasje në operacionin “Metamorfoza”. U ekspozua dhe gjatë një e-maili që na u dha prej iranianëve ku flitej si një njohës i mirë i armëve të gjata, i dyshuar si snajperist dhe që do bënte atentat ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti”, tha Ferhati.
Përpos këtyre, Prek Kodra është edhe autor i dyshuar për atentatin ndaj Ardjan Çapjas. Ky i fundit është dënuar me burg përjetë me vendim të formës së prerë.
“Nëse e mbani mend nga Kodra e Krastës, në atë kohë shënjestra i shpëtoi atentati dhe autori i dyshuar ishte pikërisht Prek Kodra i cili ishte kontraktuar nga kjo organizatë kriminale në Elbasan për të eliminuar kundërshtarin e tyre.”
Sipas gazetarit, operacioni i fundit i SPAK është i pari i këtyre përmasave.
“Nga trafiku i lëndëve narkotike prej Amerikës Latine, pastrim parash, vrasje, atentate dhe sigurim i kushteve për të kryer vrasje, janë akuzat ndaj personave në listë”, deklaroi ai.
/a.r