Këtë vit u ribotua për herë të fundit “Dreri i trotuareve” nga Diana Çuli i shkruar në ‘89-ën dhe i ribotuar disa herë.
I krijuar në presionin e fortë të metodës së realizmit socialist, i mbetur prej shumë vitesh sirtarëve të redaksisë, romani i shkrimtares Diana Çuli mbetet ende mister, se pse ai është romani më i lexuar në letrat shqipe.
Autorja e ftuar në emisionin “Dekalog” nga Roland Qafoku në DritareTV na zbulon misteret që rrethojnë personazhet dhe ngjarjet e vërteta në librin e saj.
Autorja flet për abortin, gratë në komunizëm, në një paralele me burrat dhe të tjera.
“Aborte në komunizëm dëgjonin nga të katra anët. Kishte gra e vajza që e hiqnin fëmijën, por kishte edhe që e mbanin. Nëse të thoshin që mos i fol asaj kushërirës ose asaj gicës se ajo ka bërë një fëmijë të paligjshëm pa qenë e martuar, asaj nuk i fliste më gjithë Tirana, as familja e vet. Atë e hiqnin nga punët dhe e çonin në një kategori të ulët. I jepnin ndonjë dhomë të rrinte me fëmijën. Ai që vuante më shumë ishte fëmija. Sepse e shikonin me përbuzje në shkollë, përdornin fjalë fyese. Nga këto ngjarje unë kam bërë librin “Dreri i trotuareve”. Kam personazhe reale në libër, Vera, Liza, Fredi. Vera ishte shoqja jonë në gjimnaz. Ajo u hodh nga dritarja sepse djali që dashuronte, nuk donte të martohej në atë moshë. Ajo ishte shtatzënë, nuk gjeti rrugëdalje, familja nuk e mbështeti dhe ajo u vetëvra. Histori te tilla Tirana kishte plot. Në qytete te tjera i mbysnin në pus, në jastëk. Diktatura që propagandonte emancipim e grave dhe burrave, ajo e shfrytëzonte patriarkalizmin e shoqërisë shqiptare. Nëse do i hyje divorcit në atë kohë duhet të kishë stomak të fortë. Të gjeje dëshmitarë që të tregojnë dhunën apo tradhtinë në çift. Kur burri dhunonte gruan ai dënohej me punë të rëndë.
Zakonisht në estrada dhe në filma, gruaja ishte pozitive dhe burri negativ. Por shoqëria vetë e vriste vajzën. Në Tepelenë u hapën thashetheme qe dy mësues dashuroheshin dhe ata të dy vranë veten. Enver Hoxha e mori vesh këtë ngjarje, e la të ndodhte. Ne jetonim në një kohë kur lexonim në gjuhë të huaja, shikonim televizionet e huaja dhe ëndërronim të ishim si perëndimorët, por ndërkohë diktatura shfrytëzonte patriarkalizmin, fanatizmin, paragjykimet që t’i mbante njerëzit e ndrydhur.”, tregon zonja Çuli.
/a.r