Mazhoranca qeverisëse nuk ka dilema sa i takon përgjigjes për katër pyetjet e Gjykatës së Strasburgut, për dosjen e 21 Janarit. Një ditë pas dokumentit të publikuar nga Shqiptarja.com, përfaqësues të shumicës në pushtet, kanë një përgjigje për Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila ka marrë në shqyrtim kërkesën e familjarëve të viktimave për mohimin e aksesit në proces dhe shkeljen e procedurave të gjykimit.
Ish-komandanti i Gardës së Republikës, aktualisht anëtar i Komisionit të Sigurisë, Arben Çuko thotë se drejtësia për 21 Janarin nis me hetimin e Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, duke i identifikuar si përgjegjësit kryesorë për vrasjen e katër protestuesve, plagosjen e gjashtë të tjerëve, manipulimin e pronave, zhdukjen e pamjeve filmike etj.
Familjarët e viktimave të 21 Janarit kanë një mesazh për Gjykatën e Strasburgut, e cila i kërkon informacion shtetit shqiptar për procedurat e gjykimit të çështjes. Zabit Deda, vëllai i Hekuran Dedës, i vrarë në demostratën e 21 Janarit, thekon se ka besim tek paanshmëria e Gjykatës së Strasburgut, ndërsa shton se hetimet duhet të nisin me administrimin e dëshmive të Sali Berishës. “Kemi besim të fortë tek Gjykata e Strasburgut. Unë kam ndjekur vetëm dy seanca, gjatë procesit të Agim Llupos.
Nuk e kemi ndjekur procesin, pasi kërkonin lekë. Ne nuk kishim mundësi financiare. Procesi i zhvilluar në Shqipëri na ka vrarë për së dyti. Për ne, drejtësia duhet të nisë me dëshmitë e Sali Berishës. Berisha i ka ndryshuar disa herë dëshmitë, gjatë këtyre viteve”, ka theksuar Zabit Deda.