Nga Lorenc Vangjeli/ Një problem më shumë se moral.
“Zemer”, i thotë gruaja nga ballkoni të shoqit, “Po digjet apartamenti përballë”. “E di”, përgjigjet ai. “Po e japin live të gjitha televizionet”. Dhe kur një gjë e tillë ishte e vërtetë dje, sot, në kushtet kur me një celular në dorë gjithkush është gazetar, qarkullimi i informacionit është pabesueshmërisht shumë më i shpejtë. Dhe nga momenti kur pothuaj çdo biznes, që nga ata që shesin kanatiere e rroba banjo e deri tani minimarketet e lagjeve kanë kamera sigurie, ky informacion tani është në dispozicion edhe në video.
Big Brotheri këtë sezon, si dhe ca kohë më parë, ka dhënë shfaqje seksi live. Liria e banorëve brenda e ka bërë më të dëshirueshme jetën për maniakët e ekranëve dhe më të rëndë atë për buzëhollët e moralit e që bërtasin në emër të moralit. Por seksi është një zgjidhje individuale. Edhe atëherë kur njëlloj si tangoja kërcehet çift, edhe atëherë kur njëlloj si lutja në kishë, kryhet në vetmi. Problemi është me një “modë” të re informimi që ka nisur të jetë e pranishme sa në ekranet e televizioneve, po aq dhe në rrjetet sociale. Menjëherë mbas ngjarjeve të rënda, vrasjeve kryesisht, mediat marrin xhirimet e kamerave të sigurisë dhe i transmetojnë ato gjithë ditën. Rasti i vrasjes së fundit në bulevardin Zogu I, kur u transmetuan kudo dhe ngado pamjet e një viktime pikërisht në momentet kur po jepte shpirt, ishin jashtëzakonisht të rënda. Ashtu siç kanë qenë pamjet e transmetuara të një atentati në mes të Tiranës apo dhe ndjekja me armë në dorë e një tjetër viktime tek Pallati me Shigjeta.
ISIS është bërë i famshëm në gjithë botën dhe ka ndërtuar botën e tij vetjake të tmerrit dhe ferrit pikërisht në këtë mënyrë. Duke hedhur në internet videot e tmerrshme të kokëpprerjes së pengjeve të tyre, të ekzekutimeve të frikshme si në përtejMesjetë apo deri dhe tek ekzekutimet me antitank të fëmijëve. Në momentin e parë, shumë nga videot e tyre mundën të depërtojnë në formë reale tek publiku në Perëndim që u tmerrua, por më pas, ato humbën forcën e të qenit “lajm” dhe u censuruan pikërisht në momentet më të frikshme.
Po live u transmetua muaj më parë masakra në revistën franceze Charlie Hebdo në Paris. Sidomos momenti i xhiruar me një celular i ekzekutimit të një polici. U pa qartë si u gozhdua me plumbat e kallashnikovit koka e viktimës në trotuar. Edhe pse videoja u tërhoq pothuaj menjëherë nga qarkullimi nga ai që e kishte hedhur, ajo ishte bërë pronë e gjithë lundërtarëve të internetit që e përcollën atë nga një rrjet në tjetrin, nga një përdorues tek tjetri me shpejtësinë që ka vetëm e liga për të bërë keq.
Duhet të vazhdojë të jetë kështu? Në Shqipëri nuk është se ka nevojë për të bërë shpikje për të penguar sa mundet që tmerri dhe gjaku i rrugës të përfundojë në tryezën e çdo familjeje që sheh televizor. Për ca shikues më shumë që fitohen në momentin e parë kur pamjet jepen të plota dhe pa çensurë, humben shumë më tepër nga ata që nuk duan të jetojnë me atë ankth si në filmat horror. Transmetimi i tyre nuk mund të pengohet, sepse në çdo moment, në mos kamera e sigurisë së biznesit që shet rroba banjoje, një qytetar i zellshëm me celular në dorë mund të sigurojë xhirimin që e kërkon si lëndë të parë televizioni dhe rrjetet sociale. E rëndësishme është që kush bëhet përcjellës i tyre më pas tek publiku, të vendosë një filtër të mjaftueshëm. Fillimisht duke paralajmëruar se janë pamje të rënda e më pas, duke vendosur një moshë minimale të lejuar për t’u parë, duke u përdorur sa të mundet filtrat që do të pengonin, qoftë dhe minimalisht tmerrin real.
Kjo është bota e ndërveprimit aktiv, që kur dikush kruan kokën në Pekin, zhurma dëgjohet në Uashington, kur dikush tjetër rënkon në Kaliforni, fjala vjen, shumëkujt i shkojnë djersë të ftohta edhe në Siberi. Po kjo është një botë kontrasti. Sepse kur mendon se cilat janë alternativat ekstreme që afrohen në televizione dhe rrjete sociale: vrasje me antitank, koka të prera me shpatë apo të vrarë mbi trotuar, skenat e seksit live ngjajnë bekim. Qoftë kur ato kapen nga kamerat punëtore të Big Brother-it dhe “ekzekutohen” si tangoja që kërcehet gjithmonë çift, qoftë edhe atëherë kur njëlloj si lutja në kishë, akti frymëmarrës kryhet në vetmi.