Ka ndërruar jetë në moshën 45-vjeçare, anëtari i Gjykatës së Lartë, Darjel Sina, i cili vuante nga një sëmundje e rëndë.
DARJEL SINA
Në lidhje me ndarjen e parakohshme nga jeta të ish gjyqtarit ka reaguar edhe Gjykata e Lartë teksa i shpreh ngushëllimet familjes së tij.
“Me trishtim të thellë, njoftojmë ndarjen nga jeta të anëtarit të Gjykatës së Lartë, z. Darjel Sina.
Sina i’u bashkua trupës së gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë në prill të vitit 2022, dhe vinte në këtë detyrë pas një eksperience të gjatë dhe kontributi të rëndësishëm në fushën e së drejtës.
Ndarja e tij nga jeta krijon një boshllëk të madh për të gjithë ata që e njohën dhe punuan me të.
Në këto momente të vështira, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen dhe të dashurit e tij. Jemi pranë jush me zemër dhe mendje.
U prehtë në paqe! Me respekt, Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë”, thuhet në reagimin e Gjykatës së Lartë.
Kush eshte Darjel Sina?
Darjel Sina ka përfunduar studimet e postdoktoraturës në Universitetin e Zyrihut në Zvicër, me bursën Federale Zvicerane të Ekselencës në fushën e së Drejtës Kushtetuese dhe Bankare. Sina ka përfunduar studimet e tij në doktoraturë, master i arteve dhe bachelor në Universitetin Kombëtar të Athinës/Fakulteti Juridik. Ai mban titullin akademik Profesor i Asociuar që nga maji i vitit 2014. Eksperienca e fundit e punës së gjyqtarit Sina ka qenë Komisioner Publik pranë Institucionit të Komisionerit Publik dhe më përpara Shef i Departamentit të Drejtësisë në Universitetin e Nju-Jorkut, në Tiranë.
Në nëntor të vitit 2021, Sina u përzgjedh nga Departamenti Amerikan i Shtetit për të përfaqësuar shtetin shqiptar në programin International Visitor Leadership Program me tematikë Rule of Law and the U.S. Judicial System, i organizuar nga Graduate School USA.
Sina ka punuar si studiues në Universitetin e Zyrihut dhe përpara kësaj eksperience ka punuar Dekan pranë Fakultetit të Drejtësisë, në Universitetin Luarasi, në Universitetin Evropian të Tiranës si Profesor dhe përpara kësaj eksperience ka qënë i punësuar si asistent Profesor në Universitetin Kombëtar të Athinës, nën drejtimin e Profesor Andreas Dimitropoulos. Pas diplomimit ka punuar për shumë vite asistent avokat në Athinë, Greqi.
Prej 16 prillit 2022, ai ka qenë gjyqtar i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë.