Kisha Katolike deklaron se nuk do të pranojë kurrë, as sot e as në të ardhmen lidhje tjetër bashkëshortore veçse martesës mes një burri dhe një gruaje.
Një fakt të tille e përforcon edhe “Nxitja Apostolike” e shkruar nga Ati i Shenjtë Papa Francesku që i është dërguar të gjitha Kishave Katolike në të gjithë botën. Dokumenti papnor ka në qendër institucionin e familjes që vitet e fundit po përballet me një krizë identiteti në rritje për shkak të numrit të madh të divorceve, dhunës në familjeve braktisjes, apo lidhjeve mes të njëjtit sex. Por gjithësesi qëndrimi i papës është më liberal se paraardhësit. Në nxitjen e firmosur prej tij drejtuar besimtarëve Papa shkruan se askush nuk mund të dënohet përgjithmonë.
Detaje të dokumentit të firmosur nga Ati i Shenjtë janë bërë publike për median nga drejtues të Kishës Katolike Shqiptare përmes një konference për shtyp.
Vitet e fundit komuniteti LGBT në Shqipëri ka shtuar presionet ndaj politikëbërësve në parlament dhe në qeveri duke kërkuar me insistim ndryshimin e kodit të familjes për të legjitimuar martesat apo bashkëjetesën brenda të njëjtit seks, kjo edhe me mbështetjen e disa ambasadave të huaja. Aktualisht paketa e ndryshimeve kushtetuese fokusuar kryesisht tek reforma në gjyqësor përmban në të edhe ligjin kundër diskriminimit duke specifikuar komunitetin LGBT. Po si reagon kisha ndaj këtij ligji që pritet të hyjë në librin themeltar të shtetit.
Sipas Kishës Katolike institucioni i familjes nuk mund të ndryshohet nga asnjë parlament në botë, përfshirë dhe vetë kishën. / balkanweb