Punimet për Pediatrinë e Specialiteteve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë janë drejt përfundimit.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot pamje nga punimet që po kryhen, ndërsa theksoi se “ky projekt synon përmirësimin e kushteve dhe ofrimin e shërbimeve thelbësore për pacientët e vegjël”.
“Ky projekt përfshin krijimin e hapësirave moderne dhe të pajisura me teknologji bashkëkohore, të cilat do të akomodojnë disa nga shërbimet më të rëndësishme për kujdesin pediatrik, siç është Onkohematologjia, Pediatria e Specialiteteve, Pneumo-Alergo, Endokrinologjia, Neurologjia, Gastrohepatologjia, Fizioterapia, Nefro-dializa dhe Shërbimi i Gjenetikës me një laborator të integruar, i cili do të ofrojë një gamë të gjerë testesh laboratorike gjenetike”, theksoi Koçiu.
Ministrja Koçiu u shpreh se “investimi ka përmirësuar infrastrukturën dhe krijimin e një ambienti të sigurt dhe të rehatshëm për pacientët e vegjël dhe personelin shëndetësor, duke siguruar standardet më të larta të cilësisë në shërbimet shëndetësore”.
Shërbimet që do të akomodohen në këtë pjesë përfshijnë diagnostikim të avancuar, trajtim multidisiplinar dhe mbështetje për rastet më komplekse pediatrike.
Me përfundimin e fazës së dytë kompletohet i gjithë korpusi i Spitalit Pediatrik në QSUNT.