Apeli i Posaçëm ka caktuar datën 19 nëntor për të zhvilluar seancën për shqyrtimin e ankimit të Presidentit të Partisë së Lirisë Ilir Meta, i cili kërkon lirimin nga burgu.
Seanca është parashikuar të mbahet në orën 10:00.
Ilir Meta ankimoi në Apelin e GJKKO masën “arrest me burg” të caktuar ndaj tij për hetimet e lobimit të LSI në SHBA, si edhe skandalin CEZ-DIA. Kërkesa u depozitua nga avokati mbrojtës, Genc Gjokutaj, më 4 nëntor, i cili tha për mediat se një masë e tillë nuk qëndron, pasi Meta ka qenë gjithnjë në dispozicion të drejtësisë.
Gjokutaj pasi doli nga Apeli i GJKKO tha se ata janë kundër kërkesave të SPAK dhe vendimit të gjykatës që caktoi masën arrest me burg.
“Depozituam ankimin ndaj vendimit që caktoi masën e sigurimit dhe atij që vendosi vazhdimin e masës arrest me burg ndaj Ilir Metës.
Qëndrimi jonë është kundër kërkesës së SPAK dhe gjykatës që caktoi këtë masë. Kjo masë nuk ka asnjë kriter të përgjithshëm apo të vecantë për tu vendosur. Edhe nga pikëpamja e dyshimit të arsyeshëm që duhet të bazohet në prova, mund ta them që ky është një vendim i tipit thashethem”, tha Gjokutaj më 4 nëntor.
/a.r