Gjykata e Posaçme, me kërkesë të SPAK, ka pushuar çështjen ndaj deputetit socialist Agron Çela, i cili iu bashkua PS pasi iku nga radhet e LSI.
Procedimi penal për veprën ‘Mashtrimi’ ishte regjistruar pas kallëzimit të një shtetasi.
Njoftimi i GJKKO:
Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 15.10.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Kërkesë për pushimin e procedimit penal nr. 22 të vitit 2024”.
- Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 112, 328/1 gërma “b”, 329/a dhe 329/b pika 3 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 123, date 13.11.2024, vendosi:
- Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
- Pushimin e çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 22 i vitit 2024 i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar regjistruar për veprën penale “Mashtrimi” e parashikuar nga neni 143/1 i Kodit Penal, pasi në zbatim të nenit 328/1 pika 1, gërma “b”, të K.Pr.Penale, nga hetimet e kryera fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale.
- Shpenzimet proceduriale hetimore të parapaguara nga shteti lihen siç janë bërë.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brënda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, afat i cili fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit.
/a.r