Presidenti Joe Biden do të mirëpresë ditën e sotme Presidentin e zgjedhur Donald Trump në Zyrën Ovale, pas fitores të tij në zgjedhjet presidenciale amerikane të 5 Nëntorit. Takimi në Zyrën Ovale pritet të zhvillohet në orën 11:00, sipas kohës lokale.
Një takim i tillë është i zakonshëm midis Presidentit që po largohet dhe Presidentit të ardhshëm dhe ka për qëllim pjesërisht të shënojë fillimin e një transferimi paqësor të pushtetit, në demokracinë amerikane.
Biden është zotuar se do të ketë transferim paqësor të pushtetit dhe do t’iu përmbahet protokolleve të zakonshme për këtë proces.
Ndërkohë më shumë hollësi për takimin e së mërkurës ka dhënë Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan, të dielën në një intervistë për emisionin “Face the Nation” të rrjetit CBS.
Mesazhi kryesor i presidentit Biden do të jetë angazhimi për të siguruar transferimin paqësor të pushtetit. Presidenti Biden, sipas zotit Sullivan, gjithashtu do të bisedojë me Presidentin e zgjedhur Trump për zhvillimet e mundshme në Europë, Azi dhe Lindjen e Mesme.
/a.r