Një raport i publikuar sot i Freedom House ka bërë klasifikimin e vendeve të Ballkanit sa i përket përmbushjes së detyrave të Bashkimit Europian dhe plotësimit të kushteve.
I quajtur “Vendet në tranzit 2016”, raporti i Freedom House thekson se Shqipëria është i vetmi vend kandidat i Ballkanit që ka shënuar përmirësim në reforma dhe nivelin e standardeve evropiane.
“Me përjashtim të Shqipërisë, pikët e vendeve të tjera që cilësohen si kandidate për BE nuk janë përmirësuar, ç’ka është shqetësuese për nivelin e standardeve Evropiane” – thekson raporti ‘Vendet në Tranzit 2016’.
Raporti thekson se 20 vite pas Marrëveshjes së Dejtonit dhe 16 vite pasi NATO ndërhyri në Kosovë, politikat e Bashkimit Evropian në vendet e Ballkanit Perëndimor kanë treguar sukses. “Nuk ka më luftë, Serbia dhe Mali i Zi kanë nisur procesin e integrimit në BE, Shqipëria dhe Maqedonia janë zyrtarisht vende kandidate. Bosnja dhe Kosova janë potencialisht kandidatë” – shkruan raporti.