Presidenti Nishani ka njoftuar personat e interesuar që kanë paraqitur kërkesat e tyre për tu emëruar si Gjyqtarë të Kushtetueses, që të dorëzojnë formularin e vetëdeklarimit, sipas ligjit të Dekriminalizimit.
“Në vijim të komunikimit të datës 31 mars 2016, për fillimin e procedurave për emërimin e dy anëtarëve të rinj në Gjykatën Kushtetuese, si dhe në zbatim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, njoftohen të gjithë subjektet e interesuara që kanë paraqitur kërkesat e tyre për t’u emëruar si gjyqtarë kushtetues, brenda datës 8 prill 2016, të dorëzojnë formularin e vetëdeklarimit pranë Institucionit të Presidentit të Republikës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Formulari i vetëdeklarimit të plotësohet sipas modelit të miratuar me vendim të Kuvendit të Shqipërisë dhe të dorëzohet brenda 10 ditëve, nga ky njoftim. Refuzimi për të dorëzuar formularin e vetëdeklarimit, ose mosparaqitja e tij përbën shkak për mosemërim në funksionin publik.