Gianni de Biasi është takuar me drejtuesit e Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), për të diskutuar mundësinë e marrjes së kombëtares italiane pas Euro 2016. Lajmin e ka bërë të ditur Sport Mediaset që thotë se tani trajneri i Shqipërisë është kandidati kryesor, pas Fabio Capellos, për të zëvendësuar Antonio Conten.
Sport Mediaset ka zbuluar disa detaje interesante rreth Gianni De Biasit dhe Federatës së Futbollit të Italisë.
De Biasi është takuar me kreun e Federatës Italiane, Carlo Tavecchio me 7 mars në qendrën stërvitore të Covercianos me rastin e ceremonisë së çmimit “Bankina e Artë”.
Pas këtij takimi, Tavecchio ka nisur punën duke e parë De Biasin si një alternativë të mundshme për ta marrë dertimin e Italisë.
“Kontakti i fundit mes De Biasit dhe drejtuesve më të lartë të federatës u sinjalizua disa ditë më parë por gjithsesi rruga drejt Kombëtares së Italisë mbetet ende e gjatë sepse Tavecchio do të zhvillojë një takim edhe me Fabio Capellon”, shkruan Sport Mediaset.
“Nëse takimi me ish trajnerin e Rusisë nuk shkon sipas parashikimeve, De Biasi do ta ketë rrugën të hapur edhe pse duhet të marrë parasysh një tjetër kandidaturë, atë të Gianpiero Venturas”, shkruan ndër të tjera Sport Mediaset.
Kurse, ish-trajneri i Italisë, Marcelo Lippi ka thënë se De Biasi është trajner ideal për Azzurrët. Lippi iu përgjigj pa hezitim pyetjes në De Biasi është i përshtatshëm për të drejtuar Italinë. “Pse jo, – u shpreh Lippi, – do të ishte një zgjidhje logjike.”.
De Biasi mund ta lërë Kombëtaren shqiptare, me të cilën ka kontratë deri në vitin 2017, pas euro 2016, nëse Italia ia beson postin e trajnerit