Milani ka ndërruar përsëri trajner, teksa presidenti Silvio Berlusconi e humbi durimin me Sinisa Mihajlovic. Njeriu që i shpëtoi kuqezinjtë nga falimentimi dhe riktheu lavdinë në vitet ’80, nuk po arrin të ndërtojë më një skuadër të fortë dhe si zgjidhje duket se sheh vetëm largimin e trajnerëve, shpeshherë të emëruar në mënyrë të habitshme prej tij, pa pasur eksperiencën e duhur.
Ja cilët janë të gjithë trajnerët e erës Berlusconi te Milan:
NILS LIEDHOLM (deri më 1987) “Baroni”, i cili fitoi katër tituj si lojtar me Milanin, ishte në krye të skuadrës prej dy vjetësh kur Berlusconi shpëtoi klubin nga falimentimi, më 1986. Suedezi kishte fituar një titull në periudhën e dytë si trajner, 1977-79, por nuk ia arriti të kthente ditët e lavdisë dhe u shkarkua në prill 1987.
FABIO CAPELLO (1987) Trajneri i të rinjve u mor si trajner kujdestar pas shkarkimit të Liedholm dhe punoi mirë, duke humbur vetëm një nga shtatë ndeshjet që drejtoi. Nuk iu ofrua qëndrimi, por bëri figurë të mirë para presidentit. Koha e tij do të vinte më vonë…
ARRIGO SACCHI (1987-1991) Berlusconi e kishte ndarë mendjen të merrte Arrigo Sacchin, i cili kishte punuar shkëlqyeshëm te Parma. Të gjithë u habitën, por rezultoi në një kryevepër, pasi Sacchi fitoi titullin e pastaj dy Kupa Kampionesh radhazi, me një nga skuadrat më të mëdha në histori.
FABIO CAPELLO (1991-1996) Capello rikthehet, këtë herë mbi baza të përhershme. Të zëvendësoje Sacchin nuk ishte gjë e vogël, por Capello ia doli që në sezonin e parë, kur fitoi titullin pa pësuar asnjë humbje. Ai fitoi katër tituj gjithsej, si dhe një Champions League, duke shkatërruar në finale Barcelonën.
OSCAR TABAREZ (1996) Zgjedhje e gabuar. Periudha e uruguajanit nisi keq dhe vazhdoi më keq. U shkarkua pas 11 ndeshjesh.
ARRIGO SACCHI (1996-1997) Pas ikjes së Tabarez, Berlusconi u rikthye te duart e sigurta të Sacchit për reston e sezonit. Këtë herë magjia e vjetër nuk funksionoi, kuqezinjtë u renditën në vendin e 11-të.
FABIO CAPELLO (1997-1998) Një tjetër rikthim i pasuksesshëm. Capello vinte nga titulli në Spanjë me Real Madrid, por periudha e tretë në Sa Siro rezultoi katastrofë, me vendin e dhjetë.
ALBERTO ZACCHERONI (1998-2001) Zac kishte bërë emër me Udinesen dhe fillimisht e përligji emërimin, teksa fitoi titullin, me një skuadër jo yjore si të mëparshmet. Por në Europë nuk pati sukses dhe u shkarkua më 2001.
CESARE MALDINI (2001) Berlusconi kërkoi ndihmën e një legjende të Milanit, i cili arriti të siguronte vendin e gjashtë dhe pjesëmarrjen në Kupën UEFA.
FATIH TERIM (2001) Një tjetër i huaj, pesë vjet pas Tabarezit. Terim kishte bërë punë të mirë te Fiorentina, para se të prishej me pronarët. Te Milan nuk pati sukses, qëndroi vetëm 11 ndeshje.
CARLO ANCELOTTI (2001-2009) Berlusconi e ndjeu se duhej një tjetër personazh i dashur nga tifozët. Ancelotti vinte nga një periudhë e trazuar te Juventus, por te Milan pati sukses, me një titull e dy Champions League.
LEONARDO (2009-2010) Braziliani, i dashur nga tifozët, arriti vendin e tretë, por dha dorëheqjen pas mosmarrëveshjeve me Berlusconin.
MASSIMILIANO ALLEGRI (2010-2014) Shumë dyshuan për të, por ai fitoi një titull. Në dy sezonet pasardhës u rendit i dyti e i treti. Berlusconi e humbi durimin dhe e shkarkoi në mes të sezonit 2013-14.
CLARENCE SEEDORF (2014) Berlusconi e kishte konsideruar prej kohësh si njeriun ideal për rilindjen e kuqezinjve, edhe pse holandezi nuk kishte përvojë. Por, pavarësisht disa shenjave përmirësimi, Seedorf u shkarkua pas gjashtë muajsh.
FILIPPO INZAGHI (2014-2015) Një tjetër trajner pa përvojë dhe shkarkimi erdhi shpejt, pas një paraqitje vërtet të keqe në gjysmën e dytë të sezonit.
SINISA MIHAJLOVIC (2015-2016) Serbi pritej të sillte vendosmëri e disiplinë, gjëra që kishin munguar kohët e fundit. Edhe pse u paraqit mirë në disa ndeshje, përqendrimi mungoi, shpeshherë edhe pasioni. Fati i tij ishte vulosur me kohë, edhe pse zyrtare u bë vetëm sot në mëngjes.
CRISTIAN BROCCHI (2016-) Një tjetër ish-lojtar i Milanit që nuk ka drejtuar në nivel të lartë. Sikur të fitojë Kupën e Italisë në finalen kundër Juventusit, ndoshta mund të qëndrojë gjatë…