Nga Liridona Beqiri
Fitorja e Donald Trump do të drejtojë Shtëpinë e Bardhë për 4 vitet e ardhshme, në presidencën e 47-të të SHBA-ve. Në garën mes tij dhe Harris, pyetja e parë në aspekt më të gjërë global, ishtë cili kandidat do të sigurojë paqen botërore që përfshin relatat në marrëdhëniet ndërkombëtare, aleancat ushtarake, stabilitetin ekonomik, të drejtat e njeriut dhe shumë më tepër. Harris dhe Trump përfaqësojnë dy qasje politike shumë të ndryshme, secila me pikat e forta dhe të dobëta të veta kur bëhet fjalë për diplomacinë dhe sigurinë globale. Nga ana tjetër, Trump i qaset paqes botërore nga një këndvështrim shumë i ndryshëm, bazuar në filozofinë e tij “America First”.
Politika e jashtme e Trump karakterizohej shpesh nga njëanshmëria, presioni ekonomik dhe një skepticizëm ndaj marrëveshjeve shumëpalëshe. Pikat e forta të tij si qasja ndaj fuqisë ushtarake – edhe pse e diskutueshme – bazohej në idenë se forca parandalon konfliktin. Qëndrimet e ashpra të tij ndaj Kinës dhe Rusisë në parandalimin kundër ambicieve të tyre globale, edhe pse me raste ngjanin në flirt, e bëri atë të shfaqej si një udhëheqës më efektiv kundër kërcënimeve globale në rritje. Fokusi i tillë i tij në parandalimin ushtarak dhe negociatat e ashpra, mund ta bëjnë botën pak më të sigurt në afat të shkurtër përmes forcës dhe presionit ekonomik. Megjithatë, unilateralizmi i tij dhe qasja e tillë mund të minojnë bashkëpunimin shumëpalësh dhe të përkeqësojnë tensionet globale me kalimin e kohës.
Vizioni i Trump për një politikë të jashtme më transaksionale ndryshon rrënjësisht mënyrën se si SHBA angazhohet me botën dhe mund të ketë implikime të rëndësishme për paqen dhe stabilitetin, dhe kjo padyshim krijon një dinamikë të re në gjeopolitikën globale.
Administrata e Trump shpesh shihej si më pak entuziaste për zgjerimin e BE-së në krahasim me administratat e mëparshme të SHBA-ve. Megjithatë, edhe me skepticizmin e tij për, politika e jashtme e Trump vazhdoi të njihte rëndësinë strategjike të Ballkanit dhe mbështeti integrimin eventual të rajonit në Bashkimin Evropian. Kjo fitore e Trump pritet të sjellë ftohje me BE-në, pikërisht për flirtin e lartpërmendur të tij me Putin, që sot vlerësohet si kërcënimi kryesor i sigurisë për Europën.
Donald Trump shpesh e ka pozicionuar veten si një mbështetës i vendosur i Izraelit, por qasja e tij ndaj konfliktit izraelito-palestinez, veçanërisht në lidhje me Gazën dhe veprimet ushtarake, është e nuancuar. Deklaratat e tij si për Izraelin ashtu edhe për Ukrainën nxjerrin në pah filozofinë e tij, ku ai shpesh sugjeron se udhëheqja e tij do të kishte parandaluar që në radhë të parë disa luftëra ose konflikte të ndodhnin. Megjithatë, mungesa e detajeve konkrete se si do t’i zgjidhte apo do t’i jepte fund këtyre konflikteve ngre pikëpyetje rreth implikimeve praktike të politikës së tij të jashtme.
Ndërsa Trump pretendonte se paqja mund të ishte arritur nën udhëheqjen e tij, realitetet praktike të menaxhimit të këtyre krizave ka të ngjarë të kërkojnë më shumë sesa thjesht premtime ose deklarata të kaluara – do të kërkonin strategji specifike diplomatike, ekonomike dhe ushtarake që do të shohim nëse ende do mbeten kryesisht të papërcaktuara.
Afrimi i mundshëm i Trump me Rusinë, veçanërisht nëse përfshin një zgjidhje territoriale në Ukrainë, mund të ketë pasoja të rëndësishme për Ballkanin. Lufta në Ukrainë dhe dinamika më e gjerë gjeopolitike në Evropë luajnë një rol kritik në formësimin e së ardhmes së Ballkanit, veçanërisht në aspektin e marrëdhënieve me Rusinë dhe ndikimin e liderëve si Aleksandar Vuçiç. Implikimet e qasjes së Donald Trump ndaj Rusisë dhe konfliktit të Ukrainës padyshim që do të ndikonin në Ballkan, ku ekuilibri delikat i tensioneve etnike, politikave nacionaliste dhe rreshtimeve ndërkombëtare ndikohen shumë nga fuqitë e jashtme si SHBA, Rusia dhe BE-ja. Kjo padyshim nënkupton liri më e madhe për Vuçiqin, një ri-angazhim i drejtuar nga Trump me Rusinë mund të nënkuptojë një reduktim të presionit ndaj Serbisë për të bërë lëshime të rëndësishme për Kosovën ose për të reformuar institucionet e saj demokratike.
Çdo zbutje e kundërshtimit të SHBA-së ndaj Rusisë në Ballkan mund t’i sigurojë Moskës hapësirë më të madhe për të zgjeruar ndikimin e saj. Rusia tashmë mban lidhje të forta politike, ushtarake dhe ekonomike me Serbinë dhe një administratë e SHBA-së më e hapur ndaj Rusisë mund të ndryshojë ekuilibrin e fuqisë në rajon. Destabilizimi i mundshëm I rajonit mund të vij sidomos nga udhëheqësit nacionalistë si Vuçiç i cili do gjej kapital të ri politik në retorikën anti-perëndimore, duke minuar potencialisht përpjekjet për zgjerimin e BE-së në rajon dhe duke inkurajuar më shumë nacionalizëm territorial.
Bashkimi Evropian është investuar shumë në stabilizimin dhe integrimin e Ballkanit dhe cdo qasje që prish këtë ekuilibër, mund të tensionojë marrëdhëniet transatlantike dhe të frustroj liderët e BE-së.
Edhe pse çështje periferike por ajo që është e rëndësishme për Balkanin është mekanizmi i sistemit amerikan, që nuk lejon ndryshimin e kursit në politikën e jashtme amerikane e që regjimi i ardhshëm është e i një rëndësie të veçantë jo vetëm për SHBA por edhe për NATO-n dhe kjo mundëson një stabilitet dhe një prespektivë evropiane padyshim. Të shpresojmë që qeveria Trump e në veçanti Grenell që pritet të mbaj një post me rëndësi në administartën amerikane do të respektojnë vullnetin e komunitetit shqiptar të cilët edhe këtë herë dhanë mbështetjen e parezervë për demokracinë amerikane.
Mandati i dytë i Trump mund të çojë në një botë më paqësore përmes fuqisë dhe negociatave ose mund të ndezë konflikte të reja për shkak të prishjes së kornizave tradicionale diplomatike. Nëse lidershipi i tij do të sjellë më shumë diplomaci apo konflikt paqësor, do të varet nga sa efektivisht mund të balancojë vizionin e tij me realitetet komplekse të politikës globale.
Paqja botërore do të kërkojë një kombinim të qasjeve, si me diplomaci të ashpër ashtu edhe me një vullnet për të punuar me partnerët ndërkombëtarë për çështjet globale.
*Ditar i nje shqiptareje nga Maqedonia e Veriut