Rrëzohet kërkesa e Berishës për përjashtimin e gjyqtares Kushtetuese Marsida Xhaferllari nga shyqrtimi i ankimit për masën e sigurisë detyrim paraqitje si antikushtetuese.
Berisha pretendoi se Xhaferllari ishte bashkëjetuese e Enkeljed Alibeaj dhe shqyrtimi i çështjes nga ajo sipas tij përbënte konflikt interesi.
Ish-kreu i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj, është i vetmi deputet nga radhët e opozitës që mori pjesë në këshillin e mandateve dhe votoi pro heqjes së mandatit për Sali Berishën në kohën kur u kërkua nga SPAK.
Së dyti, argumentojnë avokatët, ai ankimoi vendimin e vulës duke kundërshtuar Sali Berishën si kreun e PD-së.
Vendimi për rrëzimin e kërkesës së Berishës është marrë me shumicë votash. Kërkesa e avokatëve të ish-kryeministrit u rrëzua pasi sipas trupës së 7 gjykatësve ishte e pabazuar në prova.
Seanca për ankimimin e Berishës do të mbahet më datën 19 nëntor.
Berisha kundërshtoi në Kushtetuese vendimin e GJKKO sipas kërkesës së SPAK, që kreut të PD-së të vendoset në masën e detyrimit me paraqitje në OPGJ dhe ti ndalohet dalja jashtë shtetit. Më pas Berisha nuk e zbatoi këtë masë për tu paraqitur në OPGJ dhe ndaj tij u vendos masa e arrestit shtëpiak, nën të cilën është ende.
/a.r