Amerikanët do të votojnë të martën (5 nëntor) për të zgjedhur se kush do të drejtojë Shtëpinë e Bardhë në katër vitet e ardhshme. Gara mes Nënpresidentes Kamala Harris dhe ish-Presidentit Donald Trump është tepër e ngushtë.
Gazetarja shqiptare në SHBA, Kozeta Turishta në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Vizioni i Pasdites”, tha se bazuar në sondazhet e deritanishme, kryeson republikani Donald Trump.
Kozeta Turishta: Kudo që shkon flitet për politikë. Amerikanët janë shumë të lidhur me politikën, janë shumë të përfshirë. Janë 40% për Partinë Republikane, 40 për Partinë Demokratike dhe 20% janë të pavarur. Këtu janë më të hapur për sa i përket bindjeve politike, dalin hapur dhe e bëjnë me krenari këtë gjë. Deri tani që flasim në të gjitha sondazhet kryeson Donald Trump. Nga Early Votting kanë votuar 60 milionë amerikanë dhe nga ky sondazh po kryeson Donald Trump.
Sa i përket shqiptarëve në Amerikë, gazetarja tha se komuniteti më i madh është në New York dhe Michigan dhe sipas saj, shqiptarët votojnë për Trump.
Kozeta Turishta: Komuniteti shqiptar është i madh në New York. Kemi dhe një komunitet shumë të madh në Michigan. Sipas informacioneve që unë kam shqiptarët votojnë Donald Trump. Duket sikur është paracaktuar presidenti në këto zgjedhje. Besoj se ai ka ditur shumë mirë ta tërheqë popullin e Amerikës dhe kur ai ka qenë në pushtet ekonomia ka qenë shumë më e mirë për qytetarët. Inflacioni ndihet kudo…gjithashtu mendoj se edhe emigracioni. Momentalisht nuk ka pasur probleme apo incidente dhe provokime. Uroj që të shkojë sa më i qetë procesi. Kushdo që të fitojë uroj që të pranohen ato zgjedhje me dinjitet dhe të mos kemi provokime apo protesta.
/a.r