Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, teksa po inspektonte punimet për pastrimin e kolektorit të qytetit në zonën e Perashit, i është përgjigjur edhe zërave se ka dhënë dorëheqjen pasi u thirr në SPAK.
I pyetur në lidhje me lajmin që qarkullon në media për dorëheqjen e tij dhe paraqitjen në SPAK, Beci u shpreh se është thirrur normalisht, ka dhënë shpjegime normalisht, kush s’ka pune tjetër le të merret me llafe!
“Ne vazhdojmë punën, sigurisht jam paraqitur për të dhënë shpjegime normalisht. Kush do të merret me llafe të merret me llafe. Mendoj se kryesorja është që ne të vazhdojmë investimet dhe punët dhe mendoj se Shkodra nuk ka të ndalur në rrugën që ka marrë” tha ai.
Ndërsa shtoi se s’ka asgjë që e ndal punën që ka nisur për zhvillimin e Shkodrës.
Ai u shpreh se nuk ka dhuratë më të madhe se kjo për banorët e Shkodrës nëpërmjet punës së palodhur
“Unë mendoj se kjo është më e rëndësishmja për qytetin, është kolektori që në 30 vite nuk është pastruar dhe ka qenë i bllokuar me ndërtime pa leje. Vazhdojmë intensivisht të punojmë dhe po bashkëpunojmë shumë mirë edhe me banorët. Mendoj se është prioriteti i ndërhyrjeve të bashkisë dhe ujësjellësit. Nuk ka dhuratë më të madhe sesa pastrimi i këtij kolektori në prag të sezonit të dimrit që po hyjmë”.
/a.r