SPECIALE JAVANEWS/ Votimi elektronik shihet si një mundësi shumë e mirë për PD-në për të siguruar, sipas saj, zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe për të minimizuar deformimet e procesit zgjedhor. Rreth një muaj në parë rreth kësaj çështje u shpreh edhe nënkryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho. Ndërsa dje zyrtarisht ky opsion u artikulua edhe nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha, pas një takimi që ai zhvilloi me krerë të partive të vogla aleate. Kërkesa e Bashës vjen në një moment kur komisioni parlamentar për Reformën Zgjedhore ka nisur nga puna. Po çfarë është votimi elektronik? Ku është testuar dhe si kanë qenë rezultatet e tij?
Testimi i votimit elektronik
Votimi elektronik është testuar në një numër të madh shtetesh të zhvilluara si Australia, Belgjika, Kanadaja, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Italia, Kazakistani, Holanda, Norvegjia, Rumania, Zvicra, Angliatj.
Në Holandë janë përdorur deri pak vite më parë pajisje DRE të votimit elektronik. Një grup i organizuar nga Rop Gonggrijp vendosi të bëntë një studim për këto pajisje. Falë këtij studimi u arrit të zbulohej se ato kishin probleme të tmerrshme sigurie. Vetëm në një minutë kohë Rop arriti të zëvendësonin memorien e pajisjes duke e programuar atë të manipulonte votimin. Përveç kësaj, u zbulua se kishte probleme me fshehtësinë e votës dhe se dikush me një radiomarrëse mund të gjente se si kishte votuar çdo votues. Kur këto probleme u bënë publike, Holanda u rikthye në sistemin tradicional të votimit e numërimit me dorë.
Testim për votim elektronik u krye edhe në Gjermani. U përdorën për pak kohë pajisje për votimin elektronik, derisa edhe aty filloi një fushatë kundër përdorimit të këtyre pajisjeve, që ishin ndryshe nga ato në Holandë. Një grup gjerman ngriti një çështje gjyqësore, e cila vazhdoi deri në Gjykatën Kushtetuese. Me një vendim të saj, Gjykata konstatoi se Kushtetuta e Gjermanisë u jep qytetarëve të drejtën të kuptojnë se si numërohen votat e tyre, pa pasur nevojë për njohuri të veçanta. Pajisjet e votimit elektronik mund të kuptohen vetëm nga një programues dhe ato nuk kishin ndonjë lloj transparence për votuesit. Për këtë arsye, Gjykata vendosi t’i konsideronte ato si të paligjshme. Kjo sanksionoi për Gjermaninë rikthimin te votimi me letër.
Votimi me anë të internetit
Votimi në internet mund të duket si një zhvillim shumë i natyrshëm i teknologjive të votimit , por votimi nëpërmjet internetit konsiderohet si një ide shumë e keqe nga shkencëtarët e fushës.
Në shumë vende aplikohet votimi në internet, por vetëm për një numër të vogël votuesish. Mjafton të thuhet se në Estoni, që konsiderohet sot si vendi më i informatizuar, vetëm rreth 25% e votuesve votojnë nëpërmjet internetit. Votimi në Internet mund të cenojë fshehtësinë e votës. Si rrjedhim, krijohen hapësira për votim të detyruar dhe për trafikim të votave.
Nga ana tjetër, votimi me internet mund të rrezikohet nga keqbërës të shumëllojshëm. Një kategori e tillë mund të jenë manipulues të brendshëm që kanë interes të favorizojnë njërën apo tjetrën parti. Një tjetër kategori, që potencialisht mund të rrezikojë votimin online, janë të ashtuquajturit “aktivistë”. Një shembull tipik i kësaj kategorie është grupi i quajtur Anonymous. Zakonisht këta aktivizohen nëse qeveritë ose kompanitë bëjnë veprime, të cilat aktivistët i konsiderojnë të gabuara.
Për shkak se sistemi i votimit vepron nëpërmjet internetit, ai mund të sulmohet nga çdo vend i botës. Vitet e fundit ka pasur raste sulmesh kibernetike të mbështetura nga shtete të huaja dhe nga shërbimet e tyre të inteligjencës. Qëllimi kryesor ka qenë ndërhyrja në punët e brendshme të shteteve të sulmuara.
Sulmet në sistem mund të jenë të llojeve të ndryshme. Zakonisht ato synojnë bllokimin e sistemit për një periudhë të caktuar kohe. Nëse këto sulme realizohen nga keqbërës me mjete dhe mundësi financiare të mëdha, është shumë e vështirë të përballohen. Mjafton të kujtojmë këtu se objekt i këtyre sulmeve janë bërë edhe Google, Pentagoni dhe RSA. Nëse këto organizata, që shpenzojnë shuma të mëdha dhe kanë infrastruktura gjigante për sigurinë, nuk arrijnë të mbrohen ndaj këtyre sulmeve, sa shanse mund të ketë KQZ-ja në Shqipëri? Praktikisht zero.
Informaticienët kundër
Shumë informaticienë kanë qenë kritikë ndaj votimit elektronik. Kjo sepse ata e kanë shumë të qartë se teknologjia mund të përdoret në mënyrë të mirë, por edhe në mënyrë të keqe. Ka disa gjëra që realizohen në mënyrë të sigurt nëpërmjet teknologjisë dhe disa gjëra, siguria e të cilave paraqet më shumë vështirësi.
Eksperienca e vendeve të tjera dhe një gjykim i shëndoshë të çon natyrshëm në përfundimin se zhvillimi dhe përdorimi i një sistemi për votimin elektronik është një çështje tepër delikate. Deri tani kemi thjeshtë iniciativa politike, si në rastin e PD-së që kërkon votim elektronik. Por më parë se të flasë politika duhet të shprehen specialistët e fushës. Kur vende si Holanda dhe Gjermania kanë hequr dorë nga votimi elektronik, duket se një alternativë e tillë është tërësisht e parealizueshme në një Shqipëri shumë herë më të prapambetur në këtë drejtim.
(javanews.al) Me. Ar