Dy vëllezër të moshës 19 dhe 20-vjeçare, Elvis dhe Klevis Serraj, kanë rënë në prangat e Policisë së Shkodrës, pasi dyshohet se janë autorë të djegies së dy automjeteve.
Përmes një njoftimi Policia bën të ditur se është identifikuar dhe shpallur në kërkim edhe personi që porositi 2 vëllezërit për djegien e automjeteve, i cili dyshohet të jetë një 37-vjeçar me emrin Gjekson Pusi, person me precedent penal, i denuar më parë për disa grabitje dhe vjedhje.
Ndërkohë mësohet se gjatë kontrollit në banesën e 2 vëllezërve u gjetën e sekuestruan edhe një armë zjarri automatike, kanabis dhe 18 celularë.
Njoftimi i Policisë:
Shkodër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Porositësi”
Morën porosi dhe dogjën dy automjete, identifikohen dhe vihen në pranga dy vëllezër, të dyshuar si autorë të zjarrvënies.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim dhe porositësi për djegien e makinave.
Sekuestrohen veshjet dhe biçikleta e përdorur gjatë vendosjes së zjarrit, një armë zjarri automatik dhe një sasi lende narkotike kanabis.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, bazuar në provat e grumbulluara si rezultat i veprimeve hetimore intensive të kryera nën drejtimin Prokurorisë për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mëngjesin e ditës së 30.10.2024, në lagjen “Kongresi i Përmetit”, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, organizuar dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Porositësi”.
Në kuadër të operacionit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit E. S., 19 vjeç dhe K. S., 20 vjeç (vëllezër), të dyshuar si autorë të djegies së dy automjeteve.
Si dhe u shpall në kërkim dhe vijon puna për kapjen e shtetasit Gj.P, 37 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar si porositësi i djegies së automjeteve në pronësi të shtetasit S. H.
Gjatë kontrollit në banesën e dy vëllezërve, përveç veshjeve dhe biçikletës të përdorura gjatë vendosjes së zjarrit, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një arme zjarri automatike, një sasi lëndë narkotike kanabis. dhe 18 aparate celular.
Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.