Gazetari Merin Maçi është shprehur se nuk përjashtohet mundësia nga grupi hetimor që Ibrahim Lici të ketë qenë personi i tretë që ndodhej në makinë me viktimat e atentatit në Shkodër, Hamza Licin dhe Arlind Bushatin.
Komentet Maçi i bëri teksa ishte i ftuar në “Ditari i Pasdites” me gazetaren Bruna Çifligu në A2CNN, ku tha se Policia është ende konfuze për identitetin e personit të tretë në makinë, pasi ka pasur të dhëna se Ibrahim Lici ndodhej në Turqi.
Ai tha gjithashtu se nëse do të vërtetohet që Ibrahim Lici ka qenë në makinë me viktimat, kjo do të ndryshojë edhe rrjedhën e hetimeve, pasi sipas tij, Hamza Lici dhe Arlind Bushati ishin njerëz që nuk kishin probleme në qytet dhe lëviznin lirshëm.
“Hetimet janë ndalur në një pikë me interes. Ka një enigmë sa i takon identitetit të personit të tretë që dyshohet se ka qenë në makinën e dy viktimave që mbetën në atë ngjarje, Hamza Licit dhe Arlind Bushatit. Pamjet janë bërë virale edhe në disa media ku shfaqet një person shumë pranë viktimave, por identifikimi i tij nuk është bërë i ditur ende.
Nga informacionet që unë kam siguruar pranë grupit hetimor, nuk përjashtohet mundësia që ky person mund të jetë edhe vëllai i Hamzait, Ibrahim Lici, një person që është në kërkim nga drejtësia shqiptare dhe që dyshohet se vendndodhja e tij është në Turqi.
Kjo mesa duket ka bërë konfuz edhe grupin hetimor. Nëse vërtetohet se ka qenë edhe ky njeri brenda automjetit, hetimi merr një tjetër rrjedhë, pasi dy personat e tjerë ishin persona që nuk ruheshin dhe bënin jetë të hapur në Shkodër”, tha Maçi. (A2 Televizion)