Tre persona kanë rënë në pranga nga policia e Tiranës këtë të premte, pasi kanë vjedhur një automjet, në një garazh në rrugën “Tre Dëshmorët”.
Të arrestuarit janë identifikuar si Ambri Taga, Arlindo Taga Kostandin Bregu.
Gjithashtu procedohet në gjendje të lirë një shtetas, për moskallëzim krimi, si dhe është shpallur në kërkim një tjetër.
Njoftimi i plotë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pasurisë dhe për vënien përpara përgjegjësisë penale, të autorëve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “GLK”.
Gjatë operacionit u arrestuan shtetasit A. T., 27 vjeç, A. T., 29 vjeç, banues në Tiranë, dhe K. B., 33 vjeç, banues në Shijak, për veprën penale “Vjedhja”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.
Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasi A. T., 27 vjeç, banues në Shijak, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal, dhe po punohet për kapjen e shtetasit D. T.
Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se më datë 09.10.2024, shtetasi A. T., 27 vjeç, ka vjedhur një automjet tip “Benz”, në një garazh në rrugën “Tre Dëshmorët”, në Yzberisht. Shtetasi A. T., 29 vjeç, e ka shoqëruar me një automjet tjetër para, si dhe pas kryerjes së vjedhjes ka shoqëruar automjetin e vjedhur dhe kanë lëvizur të dy automjetet bashkë. Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasi K. B., ka dashur që t’i shesë automjetin e vjedhur shtetasit A. T., i cili dhe pse ka patur dijeni që automjeti është i vjedhur, nuk e ka kallëzuar atë pranë organeve kompetente.
Materialet i kaluan Prokurorisë.
/a.r