Ambasadori zviceran, Christoph Graf, ministri Bledi Çuçi dhe drejtues të projektit ‘LëvizAlbania’ përshëndetën sot në një takim 22 fituesit e thirrjes së parë për propozime.
Eventi u organizua si një ndërveprim me individët dhe organizatat që punojnë për të rritur transparencën dhe funksionimin e demokracisë vendore.
“Dua t’ju përgëzoj të gjithëve ju, individë dhe organizata, që dolët me ide të reja, që i dorëzuat dhe që i paraqitët publikisht. Kjo tregon zell dhe kurajo nga ana juaj”, tha ambasadori zviceran Christoph Graf.
“Unë shoh një nevojë të madhe në Shqipëri për veprim civil, nisma vendore dhe zëra të pavarur. Të gjithë bien dakord: më shumë nevojitet të bëhet për të thyer korrupsionin dhe për të prezantuar interesat ‘reale’ të qytetarëve. Dhe kush mund ta bëjë këtë në se jo grupet civile, individët e angazhuar, dhe OJQ-të me pikëpamje të pavarura dhe në dobi të qytetarëve, të palidhur me të menduarit partiak e politik?”, vazhdoi ambasadori Graf.
Gjatë fjalës së tij, ministri Bledi Çuçi theksoi rëndësinë e demokracisë vendore në kontekstin e bashkive të reja. Ai shprehu mbështetjen e tij të fortë për këtë projekt si dhe rëndësinë që ai ka për monitorimin e pushtetit vendor nga aktorë të pavarur civilë.
Në emër të konsortiumit zbatues, drejtori i Fondacionit për Shoqërinë e Hapur, Andi Dobrushi, tha se “Për herë të parë në Shqipëri proçesi i vlerësimit të granteve u bë i hapur dhe transparent përmes konkurseve të ideve gjatë 6 ditëve”. Ai gjithashtu përmendi mundësinë për të marrë financim për ide emergjente brenda 10 ditëve.
Të 22 fituesit vijnë nga përvoja dhe vendndodhje të ndryshme në vend. Një nga individët që dorëzoi një propozim për të rihapur Pallatin e Kulturës në bashkinë Kamëz, shpjegoi motivacionin e saj për të ndërmarrë këtë nismë dhe prezantoi një grup të rinjsh të cilët do ta zbatojnë këtë projekt. Një tjetër ide vinte nga një grup Rom në Vlorë të cilët po përpiqen ta përfshijnë bashkinë më shumë për shanset dhe barazinë për të rinjtë Romë në këtë qytet.
Ambasadori Christoph Graf përsëriti pikëpamjen e tij se ‘e gjithë demokracia është vendore’ dhe se qytetarët në cdo cep të vendit kanë të drejtën të marrin pjesë në vendime dhe të kërkojnë llogaridhënie nga qeveria. Menaxherët e projektit njoftuan se së shpejti një tjetër thirrje për propozime do të jetë gati dhe më shumë grupe të shoqërisë civile dhe organizata të pavarura mund të aplikojnë për fonde.
Fituesit aktualë do ti zbatojnë idetë e tyre në 12 muajt e ardhshëm. Ndryshe nga nisma të tjera, ky financim përfshiu edhe individë me ide inovative, dhe jo vetëm organizata.
‘LëvizAlbania’ synon të rigjallërojë veprimin civil në Shqipëri, veçanërisht në lidhje me funksioninim e qeverisjes vendore. Projekti vazhdon deri në 2019 dhe pritet të kontribuojë drejt një demokracie vendore më të fortë dhe një shoqërie civile më vibrante në vend.