Ministri Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto është takuar me ambasadoren e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin. Çështja kryesore e takimit, ishte përgatitja për Samitin e ardhshëm të Parisit, në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili pritet të ketë arritje konkrete për realizimin e rrjeteve të energjisë dhe të transportit për Rajonin.
Ministri Haxhinasto dhe Ambasadorja, u ndalën në çështjen e të ashtuquajturave masave të buta, që synojnë përmirësimin e kuadrit ligjor për liberalizimin e mëtejshëm të shërbimeve të transportit mes vendeve të rajonit.
Së afërmi, pritet të përfundojë një protokoll marrëveshje, midis palës Shqiptare dhe asaj Malazeze, për sektorin e hekurudhor.
Me rëndësi është edhe zgjerimi në rajon i eksperiencës shqiptaro malazeze për një pikë të përbashkët kufiri dhe doganore, model i vlerësuar edhe nga komisionerët e Fqinjësisë dhe të Transportit të BE, Johanes Hahn dhe Violeta Bulc.
Ministri dhe Ambasadorja Vlahutin diskutuan gjithashtu për rëndësinë e një mekanizmi koordinues rajonal, në funksion të realizimit të projekteve të infrastrukturës rajonale dhe veçanërisht, për filtrimin e thithjen e investimeve të huaja private në këto projekte.
Në prezencë të ambasadores në ministrinë e transporteve dhe infrastrukturës, është bërë prezantimi i strategjisë kombëtare të transportit.
Ministri Haxhinasto ka kërkuar nga konsulenca ndërkombëtare që strategjia kombëtare e transportit, të konkludojë në një listë të prioritarizuar të projekteve për sejcilin nga nënsektorët e transportit rrugor, hekurudhor, ajror e detar. Si dhe të realizohet edhe kostimi i të gjithë ndërhyrjeve në fushën e legjislacionit apo edhe të ndërhyrjeve në infrastrukturën fizike.
Ambasadorja Vlahutin, theksoj se kjo strategji është e domosdoshme, për mbështetjen e ardhshme nga ana e BE, për sektorin e Transportit në Shqipëri.