Ministria e Jashtme e Greqisë ka dënuar sulmin me vezë dhe kos ndaj Fredi Belerit në Tiranë paraditen e së martës.
Në një reagim zyrtar, Ministria e Jashtme greke kërkon nga autoritetet shqiptare që të marrin masa për të garantuar sigurinë e eurodeputetëve.
“Dënojmë sharjet dhe fyerjet ndaj eurodeputetit grek Fredi Beleri gjatë vizitës në Tiranë të delegacionit të Parlamentit Europian, për të kontrolluar procesin e anëtarësimit të Shqipërisë. Autoritetet shqiptare duhet të marrin masat e duhura për të garantuar sigurinë e eurodeputetëve dhe lirinë për të bërë punën pa pengesa. Eurodeputetët përfaqësojnë interesat e qytetarëve të Bashkimit Europian dhe duhet të gëzojnë respektin e duhur”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Greqisë.
Eurodeputeti Beleri u godit me vezë dhe kos nga një qytetar në rrugë, që i kujtoi masakrën e Peshkëpisë. Incidenti ndodhi kur Beleri hyri në ambientet e Kryesisë së Kuvendit ku u përball me fyerje, ndërsa në dalje u godit me vezë.
Fredi Beleri erdhi në Tiranë si pjesë e delegacionit të Parlamentit Europian për takimin e radhës të Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE. Ata u takuan fillimisht me ambasadorin e BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato dhe krerët e grupeve parlamentare, ndërsa Kryeministri Rama e anuloi takimin.
/a.r