Nga qelia e burgut nr. 313, ish-presidenti Ilir Meta ka bërë reagimin e radhës që pas arrestimit.
Përmes një letre të gjatë për mbështetësit e tij, kryetari i Partisë së Lirisë akuzoi se prokurorin Altin Dumani dhe kryeministrin Edi Rama se e kishin planifikuar prej vitesh këtë moment, duke joshur personat e përfshirë në dosje që të bënin deklarime të rreme ndaj tij.
Në emisionin “Jetë shqiptare” në RTSH, avokat Idajet Beqiri tha se z. Meta e dinte që do të ndalohej, prandaj. Përveç sinjalizimit, z. Beqiri pretendoi se ish-presidenti vazhdimisht ka tentuar t’i shmanget arrestimit.
“Së pari, ai tentoi të arratisej. Ka kaq kohë që nuk la vend pa vajtur. Në Gjermani, të rregullonte raporte mjekësore, se ishte i sëmurë etj… Edhe në Kosovë ai vajti që të arratisej. Në Hungari nuk ia morën përsipër, e të tjera me radhë. Ai e pa që në çdo vend që do shkonte do të ekstradohej. Krimet janë të tilla që nuk të mban askush për korrupsion të lartë në pozita të tilla, kryeministër, president.
Së dyti, ai e dinte që mbështetësit dhe më kryesorët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk do e linin të ikte. E dinte, por nuk kishte ç’bënte,” u shpreh avokati.
Arrestimi i z. Meta u krye nga Policia në hyrje të kryeqytetit, teksa ish-presidenti po i drejtohej selisë së partisë së tij për një konferencë shtypi.
Sipas avokat Beqirit, arrestimi ishte më i duhuri aty ku ndodhi, pasi në çdo vend tjetër do të ngrinte dyshime.
“Në selinë e PL-së do të ishte shumë më keq, sepse do të vinte, do të mobilizonte simpatizantët e vet, Tedi [Blushin] me shokët. Ata japin jetën për Ilirin. Do bërtisnin, do ta ruanin Metën me trupat e tyre, mund të kishte armë në selinë e Partisë së Lirisë,” deklaroi z. Beqiri.