Drejtori i Policisë së Shtetit ka pritur ambasadorin Italian, Fabrizio Buçi me të cilin ka diskutuar mbi bashkëpunimin mes dy vendeve.
Në takimin ku merrte pjesë edhe Eksperti i Sigurisë, Salvatore Gava është vlerësuar bashkëpunimi i Policisë së Shtetit me forcat policore në Itali dhe u dakordësua për forcimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.
“Drejtori Proda shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e gjithanshëm me forcat e Policisë italiane (Policinë e Shtetit, Karabinierët dhe Guardia di Finanza që gjejnë shprehjen e tyre në Shërbimin për Bashkëpunimin Ndërkombëtar Policor), si dhe për mbështetjen në luftën kundër terrorizmit, grupeve kriminale, kultivimi dhe trafikimi i narkotikëve, migracioni i paligjshëm, si dhe për gjurmimin e pasurive që rrjedhin nga krimi”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Bashkëpunimi prej dekadash mes dy vendeve ka rezultuar në skuadra të shumta hetimore dhe operacione të përbashkëta policore, pjesërisht për kapjen e personave të kërkuar ndërkombëtarisht.
“Ky bashkëpunim u zgjerua gjatë sezonit veror, si dhe për aspekte të tjera të edukimit dhe trajnimit të personelit policor.
Ndërkohë, Ambasadori dhe Eksperti i Sigurisë uruan Drejtor Prodën për detyrën e re dhe konfirmuan gatishmërinë e forcave të Policisë italiane për të bashkëpunuar ngushtë me Policinë shqiptare, si një partnere e barabartë, profesioniste dhe e besueshme, në të gjitha betejat e përbashkëta kundër krimit, me synimin për të garantuar sigurinë e qytetarëve të të dy vendeve”, njofton më tej Policia e Shtetit.
/a.r