Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtor ish-kryeplakun e Berxullës ne Tiranë, Agim Locin pasi akuzohej se kishte blerë vota në favor të vajzës së tij që ishte pjesë e listës së kandidatëve për Këshillin Bashkiak, si pjesë e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Loci u dënua me 1 vit burg, por gjykata vendosi pezullim e vendimit dhe dënimin përfundimtar 80 orë punë në shërbim të komunitetit. Ai u shpall fajtor për akuzën e korrupsionit në zgjedhje.
Njoftimi i GJKKO
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin për gjykim të çështjes nr. 105 të vitit 2023, me të pandehur Agim Loci, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal”.
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Flojera Davidhi dhe Rudina Palloj, me vendimin Nr. 64, datë 28.10.2024 vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Agim Sinan Loci, për veprën penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal dhe
dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
2. Në zbatim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Agim Sinan Loci, i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 8 (tetë) muaj burgim.
3. Në zbatim të nenit 63 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i dënimit me burgim duke e detyruar të pandehurin Agim Sinan Loci, të kryejë 80 (tetëdhjetë) orë punë në interes publik, për një periudhë kohe prej 6 (gjashtë) muajsh, ku gjatë kësaj kohe i pandehuri detyrohet të mbajë kontakte me Shërbimin të Provës, për të përcaktuar llojin e punës që i pandehuri do të kryejë, vendin e kryerjes së punës dhe ditët e javës ku do të kryhet puna në interes publik.
4. Shpenzimet proçeduriale të parapaguara nga shteti dhe shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurit.
5. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brënda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.