Sali Berisha ka kritikuar ashpër reformën në drejtësi, duke e cilësuar atë si një dështim të madh për sistemin gjyqësor në Shqipëri. Në një deklaratë të fundit, Berisha i bëri thirrje Bashkimit Evropian dhe vendeve partnere të rishikojnë mbështetjen për një drejtësi të cilën ai e cilësoi “të kriminalizuar” dhe nën kontrollin e plotë të qeverisë shqiptare.
Berisha theksoi se, që prej reformës, ka ndodhur një përkeqësim dramatik në të drejtat civile dhe drejtësinë penale, duke sjellë si shembull rënien e Shqipërisë nga vendi i 55-të në vendin e 101-të për të drejtat civile. Po ashtu, sipas tij, Shqipëria ka humbur vendin e saj më të favorshëm edhe në fushën e mosndërhyrjes së qeverisë në vendimet civile, ku para reformës pozicionohej në vendin e 65-të, ndërsa sot renditet në vendin e 110-të.
Në drejtësinë penale, Berisha tha se Shqipëria ka rënë nga vendi i 46-të në vendin e 92-të, duke humbur 46 pozicione. “Ky është një tregues dramatik i shndërrimit të drejtësisë në një degë ekzekutivi,” u shpreh ai.
Për më tepër, Berisha shprehu shqetësimin për ndërhyrjen e qeverisë në drejtësinë penale, duke përmendur se Shqipëria ka humbur pozita të rëndësishme, duke u renditur pas shteteve si Vietnami, Bangladeshi, dhe Nigeria.
Në fund, Berisha i bëri thirrje Parlamentit Europian dhe Komisionit të Venecias të rishikojnë reformën e drejtësisë, në mënyrë që qytetarëve shqiptarë t’u garantohet një proces ligjor i drejtë, dhe drejtësia të shkëputet nga ndikimi politik, duke u kthyer në një sistem të mbështetur vetëm në ligj.
/a.r