Për nënkryetarin demokrat Agron Gjekmarkaj, mosbindja civile, mbetet forma dhe rruga e vetme e opozitës përballë pushtetit sipas tij uzurpues të Edi Ramës.
Z. Gjekmarkaj apelon se ndaj qeverisë ka një politikë asgjësimi dhe në zgjedhje e duan me gojën e mbyllur e duart e lidhura. Deputeti demokrat thotë për gazetën “Panorama” se krijimi i qeverisë teknike është e vetmja shpresë për zgjedhje të lira, për të ndërprerë zinxhirin e krimit elektoral, identifikimin e shtetit me pushtetin.
Si iniciues i protestës së opozitës para PE, Gjekmarkaj thotë se gjatë takimeve me europdeputetët i informuan ata për çdo formë të dhunës mbi opozitën, arrestimet politike, tendencën që opozita të hyjë në zgjedhje me gojën e mbyllur e duart e lidhura. Gjekmarkaj bën me dije se se eurodeputetët do të shprehin qëndrimet e tyre në vijim në një monitorim më të afërt e dinamik të situatës në Shqipëri, duke dërguar misione faktmbledhese dhe duke mbajtur qëndrime mbi situatën në Shqipëri.
Nënkryetari i PD-së, njëherësh drejtuesi politik i Lezhës, Agron Gjekmarkaj shprehet protesta e 29 tetorit se në mosbindje civile, synohet t’i bllokohet rruga regjimit, që sipas tij përdor si armë arrestimin politik të drejtuesve të opozitës.
Z.Gjekmarkaj,çfarë e revoltoi opozitën kohët e fundit? Pse po shfaqet kaq “agresive”?
Ndaj opozitës ka një strategji asgjësimi! Krejt lidershipi i saj është nën arrest shtëpie, burg e kandidat për pranga. Lideri i saj Sali Berisha mbahet në mënyrë të padrejtë i izoluar duke e shndërruar atë në të burgosur politik shumë domethënës. Po ashtu Ervin Salianji, burgosja e të cilit është një mesazh i qartë i kësaj qeverie për këdo që të mbyllim gojën, mos të denoncojmë!
Kuvendi është shndërruar në kazermë të dhunës ku opozita përjashtohet apriori duke u hequr pothuaj mandatet në mënyrë të pjesshme 40-60 ditë! Lidhjet e mazhorancës me krimin, SKY/ECC, mos zbatimi i sugjerimeve të OSBE -ODIHR për zgjedhjet, skandalet korruptive që shpërthejnë si kapsollat e fishekzjarrët natën e vitit të ri, plagët sociale, boshatisja e vendit, varfëria e shumëçka tjetër e detyron opozitën të jetë në vijën e parë të përballjes me Edi Ramën dhe detashmentin e tij rilindas.
Si do të jetë protesta e nesërme? Çfarë synon mosbindja civile?
Të gjithë qytetarët me datën 29 tetor duhet të ngrihen në mosbindje civile si forma dhe rruga e vetme e mbetur e opozitës përballë pushtetit uzurpues të Edi Ramës. Ndaj ftoj të gjithë në mosbindje ndaj regjimit, në Milot jo në bllokimin e rrugës, por në atë të neodiktaturës, që rrezik sheh opozitën, që armë ka arrestimin politik! Beteja është për Shqipërinë europiane kundër regjimit, kundër narko skay enkroçat!
Ju ishit iniciuesi i protestës së opozitës para Parlamentit Europian, por çfarë përfitoi realisht opozita prej saj?
Këtu s’ka vend për të marrë merita që nuk më takojnë apo rrahur gjoksin. Ky ishte një vendim i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe mendoj se ishte i duhuri. Opozita u kthye në shtëpinë e vet me dinjitet në EPP. Në Parlamentin Europian patëm takime mbresëlënëse të shumta, në nivelet më të larta! U takuam me 16 eurodeputetë në vizitën tonë 2 ditore, që përfaqësonin 4 grupet më zë mëdha parlamentare në Parlamentin Europian. Jemi falënderues dhe na dëgjuan me shumë respekt në të gjitha problematikat që ne ngritëm. Komunikimi dhe takimet do të jenë të vazhdueshme.
Partia Demokratike nuk është aspak e izoluar. Ajo ka miq të shumtë dhe në krah në betejat e saj për zgjedhje të lira e të ndershme.
Në Strasburg ju zhvilluat një sërë takimesh por cila është garancia që morët nga eurodeputetët? Çfarë porosish morët prej tyre? Cila është vëmendja e tyre ndaj situatës në vend?
Ne informuam gjerësisht eurodeputetët për çdo formë të dhunës mbi opozitën, arrestimet politike, tendencën që opozita të hyjë në zgjedhje me gojën e mbyllur e duart e lidhura. Folëm gjerësisht për lidhjet me botën e krimit që kjo mazhorancë i ka me shumicë, tipike mbetet lista e Durrësit. Ata do të shprehin qëndrimet e tyre në vijim në një monitorim më të afërt e dinamik të situatës në Shqipëri, duke dërguar misione faktmbledhëse dhe duke mbajtur qëndrime mbi situatën në Shqipëri.
Çfarë prisni konkretisht nga ndërkombëtarët? A gëzon opozita mbështetjen e tyre dhe të shqiptarëve për t’i imponuar kërkesat e saj qeverisë?
Opozita po e rrit mbështetjen ndërkombëtare çdo dite. Vizita dhe vëmendja që morëm në Strasburg është një tregues i qartë. Shoqëria shqiptare është nën represion. Ajo po e thyen murin e frikës duke e shtuar reagimin nëpërmjet protestave që opozita në vijim po thërret. Nuk ka rruge tjetër vecse përballje.
Arresti i z.Berisha, dhe burgosja e Ervin Salianjit e Ilir Metës a është një presion, një ndëshkim politik ndaj opozitës?. Pse ky rrëzim politik i dhunshëm?
Mënyra sesi u ndalua ishpresidenti, ish- kryeministri Ilir Meta kishte shkaktuar habi e indinjatë. Çdo individ meriton respekt edhe kur është në proces gjyqësor, një ish president nuk mund të goditet e merret zvarrë, duhet të trajtohet me dinjitet e të prezumohet i pafajshëm derisa nuk ka një vendim gjyqësor të formës së prerë.
Policia nuk mund të jetë ndëshkuese morale dhe etike e kundërshtarëve politik të kryeministrit! Ky është, gjithashtu, mesazh dhunë e frikësimi nga kjo qeveri. Rasti “Salianji” është, gjithashtu, ulëritës! Një politikan që ka bërë beteja të shumta për transparencë duke rrezikuar shumë, denoncime që i kanë shërbyer publikut, por që sot vuan dënim politik pikërisht për këtë arsye nga një hakmarrje personale.
A po bëhen arrestimet në mënyrë selektive? Opozitës po i merren gjeneralët! Edi Ramës ushtarët anonime. Në situatën ku është opozita, armën e vetë ka fjalën, ndikimin e opinionit publik, vënien përballë të funksionarëve të lartë të shtetit. Çfarë të drejtash nuk po i njihen opozitës?
Opozita nuk po njihet si e tillë. Kërkohet që ajo të jetë fasadë. Tentohet mandati i katërt i Edi Ramës në tavolinë me një opozitë të goditur kudo. Goditja e opozitës është goditje për çdo standard e garanci. Rënia e saj është rënie e pluralizmit dhe demokracisë! Të mbrosh atë, të jesh në anën e saj është betejë principale për një Shqipëri europiane e demokratike
Mosbindja civile është bazuar te përndjekja politike e eksponentëve të opozitës dhe krijimi i një qeverie teknike. Si duhet të jetë qeveria kujdestare me qëllim sigurimin e standardeve më minimale të zgjedhjeve të 2025?
Së pari, duhet vullnet politik ose imponimi i duhur për ta arritur. Modalitetet gjenden, modelet nuk mungojnë. Ajo është e vetmja shpresë për zgjedhje të lira e të ndershme, për të ndërprerë zinxhirin e krimit elektoral, identifikimin e shtetit me pushtetin.
Pse gjithë ky insistim i opozitës për qeveri teknike ndërkohë që pakti RamaBasha në vitin 2017 nuk zgjidhi çështjen e garancisë së votës?
Nuk ka qeveri teknike me Edi Ramën kryeministër. Ajo nuk ka qenë e tillë. Duhet diçka e vërtetë, të funksionojë si e tillë jo një truk për opozitën dhe shoqërinë.
Cila është skema që ka ideuar opozita për qeverinë teknike? Si duhet të jetë përbërja e saj? Kush duhet ta drejtoje atë?
Në momentin që ajo arrihet nuk është problem për të gjetur skemat. Kundrejt kërkesave të opozitës, PS është shprehur se ka fituar me epërsi të madhe votash duke e quajtur të panevojshme krijimin e qeverisë së përkohshme.
Cili do të jetë reagimi i opozitës në këtë rast?
Herën e fundit duke prishur Kushtetutën, Kodin Zgjedhor, me 37 mijë vota diferencë ka prodhuar 11 mandate shtesë, 87 mijë vota dolën të pavlefshme! Çdo ditë dalin fakte për ndikimin e krimit të organizuar në zgjedhje.
Cilat janë synimet e opozitës në zgjedhjet e 2025-ës ndërkohë që kryeministri Rama është shprehur se do të qeverisë deri në 2030-ën?
Fitore e merituar në zgjedhje; Transformim i Shqipërisë në çdo pikë-pamje; Ndarje nga krimi dhe luftë korrupsionit; Pensione mininale në 300 euro; Arsim dhe shëndetësi cilësore; Ekonomi të qëndrueshme, përmbyllje e anëtarësimit në Europë dhe sjellje europiane në Shqipëri.
Cilat janë avantazhet dhe disavantazhet e opozitën në zgjedhjet e ardhshme?
Avantazhi i opozitës është e vërteta që bart! Historia e vet, njerëzit cilësorë që ka, morali. Programi që paraqet: Rezistenca ndaj të keqes dhe nevoja urgjente e shoqërisë për një qeverisje më të mirë./Gazeta Panorama
Bosh nga brenda
Fyl dhe I fryre