Nga Dardan Malaj
Fatos Nano u bë pjesë e politikës aktive Janarin e vitit 1991 kur mori postin e zv.kryeministrit në qeverinë e Adil Çarçanit. U tërhoq nga politika aktive 14 vite më pas, në vitin 2005 pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare. Sot, teksa ai kalon vitet e pleqërisë pranë familjes së tij, gjithnjë e më i madh bëhet numri i atyre që e shohin si politikanin më liberal dhe demokrat në historinë e pluralizmit shqiptar. Zhvillimet e viteve që pasuan ikjen e tij nga politika i japin të drejtë këtij konstatimi.
Askush tjetër i atij niveli politik, nuk arriti dot ti rezistonte më pas tundimit të pushtetit dhe të dinte të “hapte krahun”. Sali Berisha dhe Ilir Meta po vuajnë sot pikërisht pasojat e këtij mosveprimi. Nuk ditën të bëjnë veprimin e duhur në momentin e duhur. Ndërsa refuzuan të “hapin krahun”, ata po zhvendosen me hir a me pahir nga rruga politike duke i nxjerrë prej saj dhunshëm.
Ky “termet politik” po krijon kushtet optimale për rinovimin e klasës politike. Rinovim që do duhet të kishte nisur prej kohësh tashmë në kampin e opozitës teksa jemi 6 muaj para zgjedhjeve. Paradoksalisht për opozitën, por për fatin e saj të mirë, rinovimin ka filluar ta bëjë fakt mazhoranca qeverisëse.
Në mos sot, nesër edhe opozita do duhet ti hapë dritën jeshile rigjenerimit të rradhëve të saj. Në tërësi, ky është një zhvillim dukshëm pozitiv por që në vetvete mbart edhe rrisqe shumë të mëdha që duhen adresuar.
Forumet rinore të partive ishin dikur fidanishtet politike. Ato refuzonin të ishin shtojca të partisë mëmë. Mjafton të kujtohet historia e dikurshme e FRESSH dhe FRPD, apo dhe beteja e “xhaketave të vjetra” në PS për të kuptuar se ata të rinj dhe të reja në fakt u bënë alternativa politike duke qenë jo fotokopje e lidershipeve ekzistuese por kritik e në përplasje të vazhdueshme me ta. Përplasje jo vetëm për shkak të moshës dhe energjive por edhe për shkak të vizionit, ideve dhe rrugëve të zgjidhjes.
Askujt prej tyre që u ngjitën në majat politike nuk ua dhuroi askush pozicionin. E fituan me guxim dhe luftë politike që në strukturat bazë rinore. Me një sistem vlerësimi mbi rezultate dhe meritokraci. Kjo bëri që ata të kishin individualitetin e tyre në politikë. Gabuan apo jo më pas në ushtrimin e detyrave të tyre shtetërore kjo është një tjetër histori.
Rreziku me të cilin dukshëm përballemi sot është se këto forume rinore janë inekzistente në gjitha partitë tona. Prurjet e reja politike vijnë nga çdo cep i rrugës, pa asnjë filter serioz dhe të monitorueshëm, pa asnjë sistem real vlerash dhe meritokracie. Modelet e krijuara në politikën aktuale kopjohen aq keq nga këto prurje të reja sa nuk është çudi që fatkeqësisht politika të na kthehet shumë shpejt në koshin që mbledh me shumicë individë delirantë apo karrieristë të ethshëm që janë të gatshëm të bëjnë çdo lloj kompromisi për të arritur lart, sa më lart. Nuk do të jetë e vështirë për ta të lëpijnë aty ku kanë pështyrë, të kalojnë majtas-djathtas apo anasjelltas me parimin se qëllimi e justifikon jo vetëm mjetin por edhe ngjyrën e fytyrës!
Nëse nuk do të tregohemi të kujdesshëm sot kur ndoshta do të hidhen themelet e klasës politike të 20-30 viteve të ardhshme, do të jetë e tepërt nesër të kërkojmë politikanë të rinj që kanë parime, që kanë individualitet e personalitet, që dinë edhe të refuzojnë, që dinë edhe të rezistojnë. Do të rrezikojmë të kemi politikanë të rinj më të vjetër se të vjetrit. Do të kemi ndryshuar fytyrat por do të jemi sërish në vend numëro! Ndaj, sot është koha ta hapim politikën por pa ja shqyer asaj dyert!