Seanca paraprake e parashikuar të mbahej këtë të enjte për kryetarin e Partisë Demokratike Sali Berishën dhe 4 të pandehurit e tjerë mbi dosjen “Partizani” është shtyrë për datën 25 nëntor.
Avokatët pretenduan se ka pavlefshmëri njoftimesh, pasi sipas tyre janë bërë pa përfunduar afati ligjor.
Lidhur me këtë analisti Ergys Mërtiri ka deklaruar në “Real Story” se Berisha luftën nuk e ka me Edi Ramën, por me SPAK dhe GJKKO.
Ndërsa, analisti Skënder Minxhozi ka theksuar se për Berishën do të jetë shumë e vështirë, pasi shqiptarët kërkojnë që të mos ketë më falje për politikanët.
“Mendoj që aspak seriozisht, ai ka luftën me Edi Ramën. Mendoj që betejën e tij e ka me SPAK, me GJKKO, sepse po luan me burgun dhe me daljen e tij nga politika. Kjo është e vërtetë. Ka një kakofoni brenda vetë gjyqësorit, se një herë vulën ia jep Berishës dhe pastaj grupit tjetër, Alibeajt, pastaj prap Berishës, po prap kjo gjykatë. Njëri e njohi Alibeajn si përfaqësuesi i PD zyrtare dhe një vit më vonë shkon ia jep vulën Berishës”, tha Mërtiri.
“Gjykata Kushtetuese është në një situatë, ku lëvizjet e saj janë delikate dhe do të krijojnë në të ardhmen shumë valë sizmike në politikën shqiptare, për arsye krejt të ndryshme, njëra nga tjetra. Opozita veç, qeveria veç. Duke qendruar te rasti Berisha, e kontestimit të pjesshëm të trupës gjykuese, e shfrytëzimit të vakancave dhe mungesave, numrit pesë magjik me pesë vota, ndërkohë që gjykata ka 8. Unë do të thoja vetëm këtë, që kam bindjen që presioni i Berishës mbi çdo trup gjyqësore në Shqipëri, vlen më pak se presioni i ndërkombëtarëve. Presioni amerikan zakonisht nuk është fare i lehtë sepse ne e dimë që drejtësia e re është investim. Do të jetë shumë e vështirë për Berishën në këtë klimë që ka kundër, kur shqiptarët kërkojnë që të mos ketë më falje për politikanët. Do të ishte vërtetë historike, sepse Berisha dhe avokatët e tij i kanë rrëzuar të gjitha katet e drejtësisë”, u shpreh Minxhozi.
/a.r