Mikpritja shqiptare është e veçantë. Kurorëzimi i saj realizohet me një institucion unik, tradicional, të lashtë, klasik dhe modern, që quhet dolli. Është një kryevepër e ngritjes në piedestal të miqve, të të ftuarëve apo vizitorëve në sofrat shqiptare që simbolizon kulmin e mikpritjes, gëzimit dhe haresë, synon lartësimin shpirtëror të palës pritëse dhe miqve në një event, gosti, dasmë, ceremonial apo çdo festim tjetër.
Për këtë autori Sherif Bundo, i cili është i ftuar në programin “Rudina” në Tv Klan, i ka dhënë lexuesit tre botime, nga të cilat dy monografi dhe një manual në katër gjuhë. Monografinë “Dollia si kumt i trashëgimisë kulturore”, “Dollia, lartësimi shpirtëror në mikpritjen shqiptare” dhe para pak ditësh edhe monografinë “Dollia shqiptare”. Ai thotë se dollia është një zakon autentik shqiptar dhe ka një lajm të bukur për këtë ritual.
Sherif Bundo: Dollia ka autenticitet të plotë shqiptar, kjo është e para. E dyta, një grup bashkish, një grup shoqatash, një grup personalitetesh dhe elite e kombit tonë kanë përgatitur një dosje, ia kanë prezantuar Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe së shpejti dollia shpallet së pari pasuri kombëtare jo materiale, shpirtërore e Shqipërisë dhe së dyti, kërkesa e dytë, i është kërkuar qeverisë shqiptare që të përgatisë dosjen për t’ia kërkuar UNESCO-s që dollia të shpallet pasuri e mbrojtur e trashëgimisë kulturore botërore.
Kjo do të thotë se për dollinë do të veprohet njësoj si me polifoninë që është gjithashtu pasuri kulturore jo materiale e mbrojtur nga UNESCO.