Shqipëria do të jetë gati për të marrë përsipër “mijëra” detyrat që Bashkimi Europian do i japë vendit për të bërë hapa më afër anëtarësimit të plotë.
Gjatë një konference për shtyp me presidenten e Komisionit Europian, Ursula fon der Lajen, kryeministri Edi Rama deklaroi se qasja e Shqipërisë do të vijojë të mbetet në një linjë me të BE-së tani që vendi ka hapur kapitujt e parë për negocim.
“Skuadra jonë e negociatave ka treguar në Bruksel që është në lartësinë e duhur për t’u përballur me këtë sfidë të re. Ne e dimë që është një sfidë që nuk shkon duke u bërë më e lehtë, por më e vështirë, sepse tani bëhet fjalë për një sërë detyrash, me mijëra.
Në këtë rrugë të përbashkët jemi të linjëzuar 100% me politikën e jashtme të Bashkimit Europian. E gjithë kjo qasje e Shqipërisë vetëm do të forcohet, duke dëshmuar jo vetëm aftësi për realizimin e të gjitha detyrave që kanë të bëjnë me anëtarësimin, por edhe qëndrueshmëri në aspektin e afirmimit të parimeve dhe vlerave që bashkojnë këtë komunitet vendesh e popujsh,” tha z. Rama.
Kreu i qeverisë falënderoi përkushtimin e znj. Fon der Lajen për ta afruar Ballkanin Perëndimor në familjen europiane.
“Një falënderim shumë të ndier dhe shumë të posaçëm, sepse pa vendosmërinë tuaj, pa mbështetjen e pakursyer të Komisionit Europian, pa bashkëpunimin e përditshëm me misionin e KE-së në Tiranë, pa ndërveprimin e vazhdueshëm me të gjithë ata në Bruksel që janë të lidhur me këtë punë, kjo ditë nuk do të kishte ardhur. Ne e dimë shumë mirë se sa shumë vështirësi është dashur të kapërcehen për ta kthyer edhe një herë Bashkimin Europian me sytë nga Ballkani Perëndimor, por jo thjesht për të përsëritur që një ditë do të jemi bashkë, por edhe për të na afruar më shumë. Kështu që shumë, shumë faleminderit!
Ne shqiptarët jemi të ndarë pothuajse në çdo gjë. Ne shqiptarët jemi në gjendje të bëjmë debat edhe për ngjyrën e murit, edhe për orën sa është sot, madje pasionalisht mund të bëjmë debat edhe sa është data sot. Por ka një gjë për të cilën shqiptarët nuk kanë asnjë debat: vendi ynë, vendi i Shqipërisë, është në Bashkimin Europian dhe e ardhmja e fëmijëve tanë duhet të ndërohet në BE dhe nëse ka një mision të përbashkët kombëtar të gjithë shoqërisë dhe forcave politike aktive në shoqëri është të kontribuojnë që kjo të ndodhë sa më shpejt.
Pra, mirë se erdhët në vendin më pro BE-së në Europë, edhe brenda në BE, edhe jashtë BE. Fanatikët e Bashkimit Europian janë në Shqipëri. Këtë nuk e them unë, e thotë Barometri Europian,” deklaroi z. Rama.
/a.r