Pas lirimit të tij nga ana e Gjykatës së Apelit të krimeve të rënda, Këshilli i Drejtësisë ka nisur shqyrtimin e çështjes së Domart Konjarit, fill pas kërkesës së kryeprokurorit Adriatik Llalla.
Domart Konjari u arrestua në Shqipëri me qëllim ekstradimin e tij në shtetin francez, të cilët e kërkonin atë për trafik droge. Por Konjari u lirua nga Gjykata e Apelit të krimeve të rënda.
Domart Konjari rezulton i dënuar në Francë me 10 vjet burg, por u lirua në Shqipëri për shkelje procedurale. Në dosjen që mban emrin e tij bëhet me dije se dyshohet se është i përfshirë në të paktën 8 vrasje në Shqipëri dhe Francë.
Referuar të dhënave të dosjes që autoritetet franceze i kanë sjellë Prokurorisë për Krime të Rënda, ku renditet me detaje e gjithë veprimtaria kriminale e Konjarit në Shqipëri, Francë, Holandë, Belgjikë, Spanjë, Itali dhe Gjermani, saktësohet se Konjari dyshohet se drejtonte rrjetin e trafikut të kokainës, pasi mendohet se ka lidhje direkte me burimin e prodhimit të saj në Amerikën e Jugut.
Si pasojë e këtij rrjeti, influencës në treg dhe shpërndarjes së drogës në Europë, hetuesit francezë thonë se kanë ndodhur edhe disa vrasje, ku në dy raste 42- vjeçari Konjari i ka shpëtuar atentateve me armë dhe se sipas hetimit francez gjithçka ka ndodhur vetëm për shkakun e trafikut të narkotikëve.