Zëvendës presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar sërish në lidhje me arrestimin e Ilir Metës.
Ajo shprehet se Meta “u rrëmbye” në mes të ditës, ndërsa tha se “dhuna e ushtruar dje, të cilën e panë të gjithë shqiptarët, nuk do të amnistohet”.
Duke u ndalur te deklarata e ministrit të Brendshëm për rastin, ajo tha se reagimi ishte i turpshëm.
“Terroristët e Edi Ramës, që rrëmbyen dje ish-presidentin e republikës në mes të ditës, njësoj si bandat kriminale me të cilat bashkëpunon ngushtë qeveria, kanë të gjithë emër dhe fytyrë.
Dhuna e ushtruar dje, të cilën e panë të gjithë shqiptarët, nuk do të amnistohet.
Anëtarëve të kësaj skuadre terroriste, që të fshehur pas maskave ekzekutuan urdhrat e kryeministrit dhe pseudodrejtësisë së vënë në shërbim të tij, do t’u jepet ndëshkimi i duhur!
Ky akt terrorist ndaj një individi që ka ushtruar funksionet më të larta publike në Shqipëri prej 30 vitesh, duke mos iu shmangur në asnjë moment përgjegjësive dhe drejtësisë, tregoi edhe njëherë se kemi shtet policor dhe jo ligjor.
Reagimi i ministrit të Brendshëm, i cili mbron këta banditë me uniformë e maska në fytyrë që guxojnë të godasin Presidentin e Partisë së Lirisë është i turpshëm dhe kjo ngjarje e rëndë turpëron Shqipërinë”, shkruan Xhixho.
/a.r