Nga Frrok Çupi
Kaq gjë ndodhi, asgjë më shumë…
Do të ishte krejt e panatyrshme sikur Ilir Meta do të binte në rrjetë si cironkë, ashtu urtë e butë. Ose sikur të ndodhte që të mos e tundte bishtin, siç e tundi. Atëherë Ilir Meta nuk do të ishte ajo balena që ‘të çan më dysh’ edhe nëse je anije e madhe në det. Atëherë Ilir Meta do të ishte një dele, bebebeeee!, para Forcave Operacionale Lëvizëse që i ofruan një makinë të bardhë në vend të makinës së zezë.
Ai vërtet, në këtë çast, sulmoi e shau, tenntoi të mos dorëzohet…, u tund në duar të Forcave, saqë imitoi komplet peshkun kur del nga habitati i tij i ujërave dhe vjen atje ku e ka thënë Donald Lu. Qytetarë që u ndodhën aty pari në rrugë e panë një bluzë në ngjyrë jeshile që tundej në ‘rrjetë’ dhe më shumë e njohën nga lëvizja e bishtit se sa nga mençuria e ish presidentit.
Forcat Operacionale i bënë një nder ish presidentit ‘peshk i madh’. Ato erdhën vetë ta arrestonin njeriun e tmerrshëm të korrupsionit dhe të krimit. Mund të kishin lënë edhe në dorë të policisë private ose të ndonjë polici afër pensionit.
Ishte spektakël arrestimi i tij si një peshk i fortë. Peshku që kishte jetuar në ujëra me alga e me flori, nuk kishte punuar kurrë në jetën e tij; as e dinte se çfarë shkolle kishte e çfarë profesioni. As e shoqja, ‘Lady Makbeth’ nuk di kurrë në jetë se si punohet e se si djersin njeriu. Mirëpo vuuu!, luksi i tyre, vilat, floriri, CEZ- i, vrasja e njerëzve siç i ka zbuluar miku i tyre Berisha, trafiku i fëmijëve- siç babai i Zenit i ka zbuluar, lobingjet, afera e zbuluar nga Tritan Prifti për të cilën Iliri e Saliu vranë katër vetë në oborrin e kryeministrisë….
Uf!…, edhe t’i numërosh veprat e tyre kriminale të merren mendtë. Siç nuk do të donte njeriu ta shikonte për gjatë as bishtin e peshkut të madh që tundet tek del nga ujërat e turbullta.
Po këto krime tani janë në dorë të Gjykatës. Askush tjetër nuk ka më punë me to. A erdhi dita për njeriun e poshtëruar nga presidentët në këtë vend, që të shikojnë drejtësi?! Erdhi. Kjo është kryesore
Po kur ka ca zëra që thonë se ‘peshku i madh kapet me petale trëndafili’ dhe sulmojnë Drejtësinë. ‘Nuk duhej kapur me forcë zoti Meta- po thonë. Po protestojnë para popullit, pse një njeri që dhunoi popullin, po arrestohet jo në një dhomë me shampanjë dhe me parfume.
Medet!, çfarë po marrin të drejtë të thonë para popullit të tyre. Medet sikur një shoqëri t’i bënte fresk dhunuesit të vet, liderit që e nxori nga balta e u vesh me flori, satrapit që u betua të vrasë prokurorët dhe të fshijë Drejtësinë nga faqja e kombit. Ky është Ilir Meta. Shshshshsht, se po i bëni zhurmë dhunuesit tuaj!. Kjo shoqëri do të ishte e skllavëruar përjetë, sikur të dëgjonte këta zëra se ‘peshkut të madh i vihen prangat në një dhomë me parfum e muzikën e Bach’.
Por vlera qëndron te Drejtësia që erdhi. Edhe të forca e popullit që tashmë mund ta ushtrojë ndaj dhunuesve të vet.
Por Forca!- mos harrojmë: Forca. Të tjerat mund t’i kalojmë duke qeshur.
Bukur si gjithnjë Frrok.
Po si përpëlitej burri jeshil?? Si peshku në rrjetë!!