Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi prej kohësh është shfaqur si një kritik i fortë ndaj kreut të këtij subjekti politik, Edi Ramës, i cili mban edhe postin e kryeministrit. Në rrjetet sociale shpesh herë është bërë një krahasim i akuzave që ngre Blushi dhe atyre që ngre Partia Demokratike ndaj kryeministrit Rama.
Në të shumtën e rasteve akuzat e Blushit dhe ato të PD-së kanë patur një ngjashmëri simetrike. E njëjta gjë ka ndodhur edhe ditën e sotme. Letra e shkruar nga deputeti Blushi dhe deklarata e eksponentes së PD-së, Grida Duma kanë një ngjashmëri të madhe.
Kështu deputeti Ben Blushi në letrën e tij shkruan se procesi i referendumit u manipulua, kutitë u mbushën me vota dhe se Edi Rama ka frikë nga vota e lirë.
Në deklaratën e saj Grida Duma bën thuajse të njëjtën deklaratë, ajo akuzon Ramën për manipulim të referendumit, për shtim të votuesve në mënyrë fiktive, deri në etiketim të Ramës si hajdut të votave.
Këto deklarata kanë bërë bujë në rrjetet sociale, fotot e mëposhtëme e tregojnë një gjë të tillë. Aty përdoret me ironi shprehja: “Mirë që nuk ngjajnë bashkë”. (Lexo.al)