Fakte të reja dalin në dritë lidhur me rrëzimin e helikopterit EC145, ditën e mërkurë në fshatin Grizhë të Malësisë së Madhe, ku humbën jetën pilotët Florian Delia dhe Donald Hoxha dhe mbeti i plagosur ushtari Gerald Baramuça.
Në kohën kur ekspertët e Ushtrisë, në bashkëpunim me ata të “Airbus Helicopter” dhe ekspertët amerikanë, kanë arritur të nxjerrin kameran regjistruese që gjendej në helikopter dhe trupin e dëmtuar të helikopterit nga ujërat e Liqenit të Shkodrës, Top Channel sjell detaje të reja.
Rreth 300 metra përpara vendit ku është rrëzuar helikopteri, në itinerarin që kishte përshkuar, janë gjetur mbetje të trupit të tij. Siç shihet dhe nga pamjet e filmuara nga operatori i Top Channel në Shkodër, Kanto Zefaj, bëhet fjalë për copa të veshjes së jashtme të helikopterit, pjesë të kufjeve të pilotëve, tela të aparaturave. Gjithashtu është arritur të gjendet një pjesë e radarit të helikopterit.
Ende nuk dihet se si kanë përfunduar në atë vend, përpara se helikopteri të rrëzohej në ujë. A janë shkëputur ato përpara se helikopteri të rrëzohej, apo nga forca e përplasjes në ujë, veshja e jashtme është shpërndarë në një sipërfaqe më të madhe?
Kësaj pyetje pritet t’i jepet përgjigje nga ana e ekspertëve, të cilët tashmë kanë në administrim kutinë e zezë dhe trupin e dëmtuar të helikopterit.
Ndërkaq, menjëherë pas konstatimit të këtyre pjesëve nga ana e operatorit të Top Channel, grupi hetimor ka rrethuar dhe këtë zonë, e cila gjendet larg vendit të rrëzimit të helikopterit dhe ka nisur administrimin e këtyre pjesëve, të cilat gjendeshin aty që prej së mërkurës.
Ndërkaq, nga ana e tij, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave te Armatosura, ka bërë të ditur se pas nxjerrjes së kameras regjistruese, nga ana e ekspertëve, ajo i është vënë në dispozicion Prokurorisë, e cila po heton këtë ngjarje.