Sekretari i Departamentit amerikan të Shtetit, John Kerry do të bëhet zyrtari më i lartë amerikan që do të vizitojë Hiroshimën, pasi të hënën do të udhëheqë një delegacion të ministrave të Jashtëm të G7-ës, të cilët do të vendosin lule mbi monumentin që nderon 140 mijë viktimat e bombës së parë të përdorur atomike në historinë e njerëzimit, në vitin 1945.
Mbetet të shihet nëse vizita e Kerryt do të paraqesë test për një vizitë të mundshme të presidentit Barack Obama në Hiroshimë në muajin maj, atëherë kur Obama do të jetë i pranishëm në takimin e G7-ës, që do të zhvillohet në rajonin Ise-Shima të Japonisë.
Kjo do të jetë vizita e katërt e Obamës në Japoni, njëherësh e fundit në cilësinë e presidentit amerikan.
Asnjë president i SHBA-së nuk ka vizituar Hiroshimën përsa kohë ka qenë në krye të shtetit.
Ministri i Jashtëm i Japonisë, Fumio Kishida, ka ngjallur shpresën që takimi i ministrave të Jashtëm të rezultojë me një deklaratë të përbashkët për çarmatosjen bërthamore.