Sipas të dhënave të INSTAT, viti i kaluar shënoi një rritje prej 10% të aksidenteve rrugore. Eksperti i sigurisë rrrugore Gëzim Hoxha, i ftuar në “Aldo Morning Show” në Tv Klan tha se ende nuk jemi të ndërgjegjshëm që makina është “armë” dhe duhet përdorur sipas rregullave të caktuara.
Ai shpjegon se vitet e para drejtuesit e mjeteve janë më të kujdesshëm, por me kalimin e kohës nisin të mos i kushtojnë më vëmendjen e duhur këtij aspekti. Eksperti Hoxha u ndal edhe te ana teknike e automjeteve. Ai tha se një rol të rëndësishëm e luan cilësia e gomave, por cilësia e tyre lë për të dëshiruar pasi janë ato që mund të kenë mbetur stok ose kanë përmbajtje të lartë kauçuku.
Aldo: Gjithmonë sipas këtyre të dhënave që jep INSTAT-i që janë të përafërta, drejtuesit e mjeteve me mbi 9 vite përvojë janë të përfshirë në më shumë aksidente. Është pikërisht kjo që thoni ju që u duket sikur ia marrin dorën?
Gëzim Hoxha: Po, po, është kjo por ka edhe një faktor tjetër. Këtu shumë fajtor është edhe dogana në aksidentet rrugore.
Aldo: Pse?
Gëzim Hoxha: Sepse e vetmja pikë që ka makina për siguri me tokën është goma. Gomat që vijnë në Shqipëri, 90% të tyre janë goma të skaduara, pra ajo me të vërtetë lexon një markë shumë të mirë, por faktikisht ka ndenjur 15 vjet në magazinë dhe vjen këtu e shpërbëhët goma. Ka goma që janë të reja, por janë me përqindje të lartë kauçuku dhe ato nuk kapin koeficientin e duhur tokë-gome. Ne kemi pasur edhe raste kur i del rruga, frenimi 60 metra atij dhe nuk ka mundësi që ajo t’i nxjerrë 60, me këtë shpejtësi i del shpejtësia 120 km/h. Të gjithë këto janë elementë që krijojnë pasiguri në rrugë.
Aldo: Gomat thua ti?
Gëzim Hoxha: Gomat janë shumë të rrezikshme dhe serviset. Ka një shprehje që është një shprehje shumë e dëmshme që e përdorin gazetarët padrejtësisht, ndoshta ata mendojnë se japin lajm por në fakt dezinformojnë kur thonë “drejtuesi humbi vëmendjen, humbi kontrollin” pa bërë askush kontroll të makinës. Pra makina nuk kontrollohet teknikisht se çfarë pati me të vëtrteë, pra u lodh një metal i saji dhe u këput, nuk kishte frena makina, alkoolin e frenave nuk e ndërron njeri. Duke mos ndërruar alkoolin, humbet vetitë fiziko-kimike, nuk funksionon më, kthehet në ujë, pa bërë asnjë veprim të tillë.