Lideri i shumëkërkuar i Hamasit dhe arkitekti i sulmeve të 7 tetorit në Izrael, Yahya Sinwar mund të jetë eliminuar. Lajmin e ka bërë të ditur ushtria izraelite në një postim në X. Eliminimi i tij mund të jetë bërë gjatë operacioneve të fundit në Rripin e Gazës, transmeton A2.
“Gjatë operacioneve të ushtrisë në Rripin e Gazës, tre terroristë u eliminuan. IDF dhe ISA po kontrollojnë mundësinë që një nga terroristët të ishte Yahya Sinwar. Në këtë fazë, identiteti i terroristëve nuk mund të konfirmohet”, thuhet në një deklaratë të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit.
Ushtria izraelite e ka dërguar trupin e një prej militantëve të vrarë në Gaza në një laborator në Izrael për të testuar nëse ADN-ja përputhet me atë të liderit të Hamasit, Yahya Sinwar. Kështu thekson New York Times, duke cituar informacionin e marrë nga katër zyrtarë izraelitë.
Sinëar është figura më domethënëse e Hamasit që është ende e lirë, dhe Izraeli e konsideron atë “arkitektin” e sulmeve vdekjeprurëse të 7 tetorit që shkaktuan pushtimin tokësor të Gazës nga Izraeli. Ai nuk është parë në publik që nga sulmet e Hamasit dhe mendohet se është fshehur në rrjetin e gjerë të tuneleve që lidhin rrugët në Rripin e Gazës, raporton A2.
Organizata e Hamasit nuk ka komentuar mbi fatin e Sinwar, i cili kohët e fundit u ngrit në kupolën drejtuese të grupit militant palestinez. Nëse vdekja e tij konfirmohet, kjo do të rrisë tensionet në Lindjen e Mesme, ku frika për një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme është rritur ndërsa Izraeli planifikon përgjigjen e tij ndaj sulmit raketor të 1 tetorit të kryer nga Irani pas sulmeve ajrore izraelite ndaj militantëve aleatë të Iranit.
Sakaq, mediat ndërkombëtare raportrojnë se të paktën 19 palestinezë janë vrarë, duke përfshirë fëmijë, si pasojë e një sulmi izraelit në një shkollë ku strehoheshin persona të zhvendosur në Jabalya, në veri të Gazës. “Dhjetëra njerëz u plagosën nga sulmi, nuk ka ujë për të shuar zjarrin. Nuk ka asgjë”, tha një banor i Gazës për Reuters.