Nga Ervis Iljazaj
Hapja e kapitujve të parë për negociatat me Bashkimin Europian ishte një hap i rëndësishëm në procesin e integrimit të Shqipërisë. Një i hap i rëndësishëm për të ardhmen e qytetarëve shqiptarë, sigurisë së vendit dhe perspektivës së tij.
Duhet thënë që ky është hapi i parë konkret që qeveria Rama pas 12 viteve qeverisje ka bërë në këtë drejtim. 12 vite vonesë ku praktikisht nuk kishte asnjë avancim në procesin e integrimit. Në fakt, vonesa kaq e madhe e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e Europës së Bashkuar që nga viti 1990 e deri më sot ka bërë që shumë qytetarë shqiptarë ta humbasin entuziazmin për integrimin në Bashkimin e Europian. Pikërisht sepse ka qenë një proces i mundimshëm dhe që dukej shumë larg i të bërit realitet. Aq më tepër që Shqipëria ka qenë ndoshta vendi i parë i rajonit që ka filluar procesin e anëtarësimit në BE dhe me të gjitha gjasat do të jetë nga vendet e fundit që do bëhet pjesë e saj.
Dhe kjo nuk ka dyshim për faj të klasës politike shqiptare që asnjëherë nuk u ngrit në nivelin e duhur për interesat kombëtarë.
E megjithatë, Bashkimi Europian edhe pse Shqipëria dhe vendet e rajonit kanë pas shumë probleme dhe që i kanë akoma në shumë fusha, asnjëherë nuk e mbajti mbyllur derën e saj për vendin tonë. Sigurisht konteksti i saj ka ndryshuar brenda këtyre dekadave, ka pas rrethana favorizuese për procesin e integrimit por edhe rrethana penguese. Ka pas momente ku euroskepticizmi ka qenë në nivele të larta dhe kjo ka bërë që vendet e rajonit dhe Shqipëria ta kenë më të vështirë integrimin. Por asnjëherë, në asnjë moment Europa nuk ja ka mbyllur derën dhe shpresën qytetarëve shqiptarë për tu bërë pjesë e saj. Sepse e konsiderojnë Shqipërinë pjesë të Europës historikisht, kulturalisht dhe gjeografikisht.
Ndryshe nga ç’ka propaganduar për shumë vite me radhë Kryeministri i Shqipërisë. Për shumë vite me radhë sa herë që Shqipëria dështonte të avanconte në procesin e integrimit, Edi Rama nuk ka bërë asgjë tjetër përveçse këtë dështim ta quante si faj të Europës. Madje shkonte më shumë se kaq. I thoshte shqiptarëve se Europa nuk na do, ne jemi gati por ata nuk na duan pjesë të tyre. Dhe kjo ishte një klimë e rrezikshme anti-europoiane që po rritej gjithmonë e më shumë në opinion publik shqiptar. Një klimë që ka lënë gjurmë edhe sot e kësaj dite, sepse është rritur ndejshëm numri i atyre që vërtet besojnë se Europa nuk e do Shqipërinë pjesë të saj.
Jo vetëm që Europa e ka konsideruar Shqipërinë pjesë të saj dhe ka bërë çdo gjë për ta ndihmuar atë në këtë rrugëtim, por fakti që u hapën kapitujt tregon edhe njëherë që përgjegjësia nuk është aspak e saj por e politikës shqiptare dhe kushteve që ne nuk i kemi plotësuar. Edhe pse Shqipëria aktualisht ka shumë probleme me demokracinë, me liritë, me drejtësinë dhe me korrupsionin galopant, Bashkimi Europian i dha një dorë të mirë asaj për të mos ndaluar ëndrrën e qytetarëve shqiptarë. Kështu që, më shumë se sa e duan politikanët shqiptarë Europën, e do Europa Shqipërinë dhe qytetarët e saj. Dhe hapja e kapitujve nuk është gjë tjetër vecse një dhuratë për popullin shqiptar dhe përkatësisë së tij europiane dhe perëndimore.