Zëvendëskryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka thënë, gjatë vizitës në Kosovë, se s’dihet kush kujt duhet t’i kërkojë falje më shumë për krimet që janë kryer gjatë luftërave të fundit.
Ka shkuar në histori duke thënë se nëse hapet kjo temë do të vazhdojnë mospajtimet.
Daçiç ka thënë se duhet lënë këto tema pasi evropianët po merren me krejt diçka tjetër.
“Në anën tjetër nëse nisim që të diskutojmë se kush kujt duhet t’i kërkoj falje, do të shkojmë kush e di se ku në histori dhe do të nis mosmarrëveshja se kush kujt duhet t’i kërkoj falje më shumë. Bakir Izetbegoviç njëherë më pat thënë se sa herë hapet kjo temë, gjithnjë përlahemi”, ka deklaruar ai.
“Edhe 20 vjet pas ngjarjeve në ish-Jugosllavi, ne ende diskutojmë për këtë, e vendet evropiane kanë gjetur forcën që të iniciojnë organizatat e përbashkëta”, ka shtuar ai.
Daçiç ka mbërritur në Kosovë për të vizituar, siç është thënë, “objektet e trashëgimisë kulturore serbe në Kosovë e Metohi”.
Ndalesa e tij e parë ka qenë në patrikanën e Pejës, ndërsa më pas ka vizituar edhe kishën e Shën Premtes në Prizren, objekt ky nën mbrojtje të UNESCO-s.