Shqipëria shënjoi sot një moment historik drejt rrugëtimit në BE, duke hapur negociatat për grup-kapitullin e parë. Për deputetin socialist, Petro Koçi ky është një sukses i politikës së jashtme të Shqipërisë. I ftuar në Report Tv, Koçi thotë se vitet e fundit Shqipëria ka bërë hapa gjigandë drejt rrugëtimit europian, duke theksuar se tashmë nuk është më e paragjykuara e Europës.
“Ky është një sukses i politikës së jashtme të Shqipërisë. Mund të jemi kritik me Ramën, mund të ketë 1 mijë e një të meta, por në planin e politikës së jashtme, hapat e Shqipërisë kanë qenë hapa gjigantësh vitet e fundit. Është një situatë që nuk ka qenë kurrë më parë, përtej ngjyrimeve politike. Shqipëria nuk është më e paragjykuara e Europës”, tha Koçi në Report Tv.
Në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga, ligjvënësi i mazhorancës thotë se Shqipëria i ka bërë detyrat, ndërsa tha se ‘martesa politike’ Berisha-Beelri ndikoi deri diku në vonesën e mbajtjes së konferencës së dytë ndërqeveritare BE-Shqipëri.
“Shqipëria është më pranë BE. Përtej kritikave që mund të ketë opozita, e vërteta është që ky proces ka ecur në përputhje me direktivat europiane. Shqipëria ka bërë detyrat e shtëpisë dhe siç e dimë konferenca e dytë ndërqeveritare u vonua për arsye të tjera, martesa politik Berisha-Beleri. Ndikoi besoj Greqia, kjo është lexuar nga analistë të ndryshëm që u krijua një lloj pengese nga Greqia. Në prag të kësaj konference bëri edhe deklaratën pozitive. BE s’mund të pranojë regjime në gjirin e vet”, u shpreh Koçi.
Analisti Genc Burimi mendon se hapja e negociatave është një proces kompleks dhe nuk ka të bëjë me demokratizimin e vendit. Kjo sipas tij pasi negociatat janë hapur dhe me vende jo demokratike si Moldavia apo Serbia.
‘Serbia më pranë BE apo regjimi i Vuçiç? Ti si koleg konsideron se Serbia është vend demokratik. Janë hapur negociatat që në 2014. Mos i ngatërrojmë gjërat. Mos kujtojmë se kjo hapje negociatash lidhet se kemi bërë përparime. Nuk është çështje standardesh,. Hungaria ka standarde por praktika shtet mafioz. Pse e mbajnë në BE? Sepse kanë frikë se hidhet në krahë të Rusisë. Shteti që ka hapur negociatat prej kohësh është Turqia, prej 2005.’
Ndërsa solli në kujtesë dhe rastin e Turiqsë që u ndëpre procesi i integrimit pasi presidenti francez Sarkozy theksoi se janë vend mysliman pa vokacion perëndimor.
‘U ndërprenë sepse erdhi Sarkozy dhe tha që Turqia myslimane nuk ka vokacion për në Europë. Imagjinoni të jetë Le Pen, dhe ti ndërpres dhe të thotë që Shqipëria myslimane nuk ka vend. Europa nuk i kushton as bukë as ujë të hap negociatat. Moldavia shtet mafioz bëhet kandidat, sot ka hapur negociatat. Moldavia dhe Ukraina kanë firmosur hapjen e negociatave. Në Europë mendojnë të japin një bombone ti qetësojmë të hapin negociatat’.