Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka zbuluar se ka vizituar ditën e sotme në burgun e Fierit ish-deputetin e PD, Ervin Salianji.
Meta u shpreh se takimi ishte shprehje e solidaritetit kundër Narkoregjimit në fuqi dhe Narkodrejtësisë.
Ai theksoi se ky takim e bindi edhe më shumë se burgu politik vetëm e ndez frymën e ndryshimit.
“Sot, me kërkesën time, së bashku me anëtarin e Kryesisë të Partisë së Lirisë, Avokat Genc Gjokutaj, takova në burgun e Fierit deputetin tribun të Partisë Demokratike dhe opozitës, z.Ervin Salianji, i cili po vuan burgun politik të Narkoshtetit.
Takimi ishte shprehje e solidaritetit kundër Narkoregjimit në fuqi dhe Narkodrejtësisë.
Ky takim më bindi edhe më shumë se burgu politik vetëm e ndez frymën e Ndryshimit dhe përmbysjen e juntës në fuqi.
Krenar për heronjtë e fjalës së lirë, të cilët as në burg nuk e humbasin Lirinë”, u shpreh Meta.
Duhet theksuar se në burgun e Fierit ka shumë emra “VIP” ndërsa emri i Metës është lakuar shpesh në lidhje me problemet me drejtësinë.
Kujtojmë se katër muaj më parë Meta ishte në Fier ku protestoi kundër TEC-it dhe premtoi të merrte kallashnikovin kundër ndërtimit të tij.