Ambicia e Kryeministrit për ta bërë anëtar të BE-së vendin e tij deri në 2030, ai shpjegoi dhe njëherë pas konferencës ndërqeveritare se është një plan i realizueshëm brenda 5 viteve të ardhshme, kur ai me bindje thotë se do të kurorëzojë mandatin e 4 qeverisës të socialistëve.
“Plani nuk është një plan se kemi ne dëshirë të kemi një plan. Është një plan i përpunuar dhe i dakordësuar me komisionin duke menduar që brenda mandatit të katërt puna të jetë përmbyllur dhe Shqipëria të konsiderohet një vend me detyra të kryera.”
Shqipëria i hapi negociatat e anëtarësimit njëkohësisht me fqinjtë maqedonas, por për Ramën tani që vendi ynë ka hedhur një hap më tej në procesin e integrimit, sqaron se çdo vend ka rrugëtimin e tij individual ku të gjithë duan të jenë çift vetëm me Bashkimin Europian.
“Kjo është një korsi individuale e çdo vendi dhe nuk jemi të lidhur në çift me askënd përgjithmonë sepse ka vetëm një lidhje në çift që shqiptarët kanë vendosur vetë që ta bëjnë dhe është lidhja me Bashkimin Europian, ndërkohë që të gjitha lidhjet e tjera në çift që kemi jetuar në shekuj kanë qenë lidhje të imponuara.”
Në intervistën e dhënë në Luksemburg, kryeministri pranon të flasë dhe për opozitën. Sipas tij, shumica nuk mund të ngadalësojë ecurinë drejt integrimit vetëm pse kundërshtarët e socialistëve sipas tij nuk pranojnë vendimet e drejtësisë së re, që sipas tij ka goditur më shumë në oborrin e selisë roze se në atë të selisë blu.
“Përsa i përket opozitës unë nuk kam çfarë të them. Ne nuk mund as ta ndalojmë, as ta ndryshojmë, as ta ngadalësojmë dhe as të ndërhyjmë në procesin pa kthim të vendosjes së drejtësisë përmes një sistemi drejtësie të pavarur dhe natyrisht, heqja e duarve të politikës nga drejtësia ka krijuar dhembje, ka krijuar situata me të cilat ne nuk jemi mësuar dhe drejtësia ka goditur majtas dhe djathtas. Me shumë majtas sesa djathtas nëse e marrim në aspektin kuantitativ, por kjo është ajo që kemi kërkuar, kjo është ajo për të cilën kemi luftuar edhe kush nuk do të pranojë vendimet e drejtësisë, është i destinuar t’i bjerë murit me kokë dhe në fund është koka dhe jo muri që do bëjë prapa.”
/a.r