I dyshuari i mbijetuar i sulmeve terroriste në Bruksel ka pranuar se, rrjeti të cilit i përkiste kishte planifikuar fillimisht të kryente sulme të reja në Francë.
Kështu bëhet e ditur nga prokurorët belgë, të cilët kanë marrë në pyetje Mohamed Abrinin, teksa ky i fundit mësohet t’u ketë thënë se planet ndryshuan dhe u vendos të sulmohej Brukseli, vetëm pas arrestimit të të dyshuarit tjetër, Salah Abdeslam.
Vetëm një ditë më parë, Abrini pranoi se ishte personi i tretë i sulmit në Aeroportin e Zaventemit, në Bruksel, apo siç njihet në media “personi me kapelë të bardhë”, i cili mundi të largohej pa e aktivizuar pajisjen e tij shpërthyese.
Prej sulmeve të kësaj celule terroriste, 130 persona mbetën të vdekur në Paris më 13 nëntor të vitit të kaluar, ndërsa 32 të tjerë u vranë në aeroportin dhe në stacionin e metrosë në Bruksel, më 22 mars. Të dyja këto sulme u morën përsipër nga grupi i Shtetit Islamik, i shtrirë kryesisht në Siri dhe Irak.
Abrini, i cili u arrestua në Bruksel të premten, raportohet t’u ketë thënë prokurorëve se, arrestimi i Abdeslam Salahut më 18 mars kishte detyruar komplotuesit të ndryshonin strategji për të humbur gjurmët. Të surprizuar nga shpejtësia, me të cilën policia po u afrohej atyre teksa planifikonin sulme të tjera në Francë, detyroi grupin të “ndërmerrte në fund vendimin për të goditur Brukselin”, tha një prokuror.
Abrini, një 31-vjeçar belg me origjinë marokene, është akuzuar për terrorizëm së bashku me 3 persona të tjerë gjatë së shtunës.TCh